Lidhje

USAID, ndihma për Shqipërinë edhe për zgjedhjet e qershorit


Agjencia amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar thotë se Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm në rrugën e saj të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe zhvillimit ekonomik. Drejtoresha e USAID-it në Tiranë, Roberta Mahony thotë se megjithë sfidat në luftën kundër trafikut njerëzor dhe korrupsionit, qeveria shqiptare ka punuar për të shtuar transparencën dhe se zgjedhjet parlamentare të qershorit do të jenë përcaktuese për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Shqipëria vazhdon të përballet me sfida në ambicjet e saj për të fituar statusin e një vendi plotësisht demokratik. USAID ka qënë përkrah qeverisë shqiptare në përpjekjet për zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin e institucioneve demokratike të vendit. Programi i anti-trafikut është më i rëndësishmi që kjo agjenci ka në Shqipëri. Por megjithë ndihmën e dhënë, vendi u klasifikua më ulët në raportin e Departamentit të Shtetit për trafikun njerëzor. Drejtoresha e USAID-it, Roberta Mahony thotë se megjithëse vlerësimi ishte i drejtë, ai reflekton rritjen e vigjilencës për të luftuar këtë fenomen.

"Me të drejtë Shqipëria u klasifikua më ulët në raportin e Departamentit të Shtetit por kjo reflekton pjesërisht shtimin e vëmendjes që po i kushtohet këtij fenomeni, informacionit më të mirë për viktimat dhe numrin e të trafikuarve që riatdhesohen. Sfida tani është të punohet më nga afër me vendet e destinacionit për të riatdhesuar dhe për të mbrojtur viktimat".

Drejtoresha e USAID-it e shikon përmirësimin e transparencës dhe efektivitetit të qeverisë si rrugën për të luftuar korrupsionin i cili vazhdon të jetë një njollë për vendin.

"Korrupsioni është problem serioz në Shqipëri, i cili kërkon luftë të vazhdueshme në mënyrë që çdo kontakt që qytetarët kanë me qeverinë të ketë një përgjigje të hapur, transparente dhe të përgjegjëshme nga ana e qeverisë".

Drejtoresha e USAID-it thotë se Shtetet e Bashkuara kanë një partneritet të vërtetë me Shqipërinë për të punuar për zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo është optimiste se përpjekjet dhe mundësitë që ka Shqipëria me njerëzit e saj dhe pozicionin gjeografik do të shpërblehen me anëtarësimin në BE. Por prova më e rëndësishme e gjithë këtyre përpjekjeve është ende përpara. Megjithë angazhimin dhe entuziazmin që po tregohet për këto zgjedhje, ka patur shqetësime për pajisjen me kartat e identitetit për t'u siguruar që të gjithë njerëzit të kenë mundësinë të votojnë.

Ambasada amerikane thotë zonja Mahony po e vëzhgon nga afër situatën.

"Mendoj se zgjedhjet janë një provë e rëndësishme. Është e rëndësishme për Shqipërinë të demonstrojë se mund të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të drejta, që zëri i publikut të mund të shprehet dhe të dëgjohet. Nuk do të ketë gjë më të rëndësishme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE sesa këto zgjedhje. Të gjithë e kuptojnë rëndësinë e tyre. Kam shpresë të madhe se shqiptarët do t'i përgjigjen kësaj sfide dhe do të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të drejta".

USAID-i vlerëson se është shtuar angazhimi i shoqërisë civile për të siguruar integritetin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Agjencia po kontribuon në mënyrë më modeste sesa në të kaluarën për këto zgjedhje duke financuar anketa të opinionit publik dhe duke dhënë grante për organizatat joqeveritare që do të trainojnë dhe mobilizojnë më shumë se 2 mijë vëzhgues ditën e zgjedhjeve. Gjithashtu për herë të parë në Shqipëri, me mbështetjen e USAID-it më 28 qershor do të ketë numërim paralel të votimit, me raportimin në kohë reale të rezultateve paraprake nga të 66 qendrat e votimit, krahas procesit të numërimit të votave.



XS
SM
MD
LG