Lidhje

Nënpresidenti Bajden i jep fund vizitës në Kosovë


Nënpresidenti amerikan Joseph Biden u tha mbrëmë trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë se ata kanë për detyrë t’u krijojnë qytetarëve të Kosovës sigurinë dhe hapësirën e nevojshme për ndërtimin e shtetit të pavarur, demokratik dhe çka është më e rëndësishmja shumetnik.

Vizita në kampin e trupave amerikane në Bondsteel afër Ferizajt në Kosovën lindore, ishte pjesa përmbyllëse e vizitës së nënpresidentit Biden në Kosovë.

Ai u tha ushtarëve se ata janë dëshmi se çfarë ndodh kur kombet ngrihen të bashkuara për të ngadhënjyer mbi tiraninë dhe për të ndërtuar shoqëri të lira.

Nënpresidentit Biden iu bë një pritje e ngrohtë në Kosovë, ku ai vlerësohet si një nga mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së saj, të shpallur në shkurt të vitit të kaluar.

Deri tani, 60 vende të botës e kanë njohur pavarësinë e shtetit të ri që kundërshtohet ashpër nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia. Serbia ka thënë se nuk do ta pranojë kurrë një Kosovë të pavarur dhe shumë serbë i shohin Shtetet e Bashkuara si antiserbe.

Nënpresidenti Biden i siguroi udhëheqësit dhe qytetarët e Kosovës se pavarësia është proces i pakthyeshëm. “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës është e pakthyeshme dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha nënpresidenti Biden duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin tërësinë e Kosovës.

“Kosova e bashkuar dhe e pandarë është absolutisht thelbësore”, tha zoti Biden, sipas të cilit pavarësia e Kosovës është përparësi e administratës amerikane dhe elementi kryesor në politikën e saj për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të integrohen në Bashkimin Evropian.

Por, nënpresidenti Biden, tërhoqi vëmendjen në detyrat që kanë institucionet e Kosovës për ndërtimin e një shteti funksional e të suksesshëm, për ringjalljen ekonomike, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe veçanërisht mbrojtjen e pakicave. Ai bëri thirrje që shumica t’i zgjasë dorën komunitetit serb të Kosovës, të vendosë dialogun dhe mbrojtje të fortë për atë komunitet dhe komunitetet tjera pakicë.

Një grup serbësh protestuan kundër vizitës së zotit Biden në pjesën veriore të Kosovës, skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së vendit. Ljubomir Kragoviç, i Partisë Radikale Serbe thotë se nuk ishte aspak i gëzuar për vizitën e zotit Bajden.

"Nënpresidenti amerikan shetiti nëpër Kosovë, një shtet që ai e krijoi me miqtë e tij. Serbët kanë të drejtë të thonë se nuk e pranojnë Kosovën si shtet të pavarur"
u shpreh Kragoviç.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, e siguruan nënpresidentin Biden se janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë për të përmbushur porositë e njeriut që ata e vlerësojnë si mikun e madh të Kosovës.

”Ne marrim përgjegjësinë për të garantuar liritë e secilit qytetar pa dallim etnie dhe besimi. Kosova e lirë dhe e pavarur po dëshmohet çdo ditë si faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe më gjerë."


Ne shprehim zotimin tonë se vlerat e lirisë dhe demokracisë amerikane do të jenë idealet e ndërtimit dhe zhvillimit të shoqërisë dhe shtetit tonë”, theksoi presidenti Sejdiu.

“Ju keni qenë dhe mbeteni mik i vërtetë dhe i madh i popullit të Kosovës. Ne kurrë nuk do të harrojmë atë çka ju dhe vendi i juaj keni bërë për ëndrrën e popujve të Kosovës që kjo ëndërr të bëhet realitet, të bëhet Kosova e pavarur”, tha kryeministri Thaçi.

Prishtina e ka vlerësuar me rëndësi historike vizitën e nënpresidentit Biden, që është vizita e rangut më lartë politik që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Zyrtarët më të lartë amerikan që kanë vizituar Kosovën e pasluftës, ishin ish presidenti Bill Clinton i cili qëndroi për një vizitë në Ferizaj në nëntor të vitit 1999 dhe ish presidenti George Bush, i cili vizitoi kampin e trupave amerikane më 2001, pak kohë pas sulmeve të 11 shtatorit të atij viti në Nju Jork e Uashington.

Zoti Bajden shkon sot në Bejrut për t’u takuar me Presidentin libanez Mishel Suleiman, Kryeministrin Fuad Siniora dhe kryetarin e Parlamentit Nabih Berri. Shtëpia e Bardhë tha se vizita synon të shprehë mbështetje për një liban të pavarur dhe sovran. //ii

XS
SM
MD
LG