Lidhje

Astronautët: Riparimi i Teleskopit të Hapësirës ishte një sukses


Astronautët amerikanë thanë se riparimi i guximshëm që ata i bënë Teleskopit Hubble të Hapësirës ishte një sukses. Misioni i tanishëm, thanë astronautët, provon rëndësinë që ka vazhdimi i pranisë së njeriut në hapësirë.

Astronautët në bordin e anijes Atlantis ishin plot buzëqeshje në konferencën e shtypit që dhanë dje nga hapësira. Arsyeja ishte e thjeshtë: ata arritën me sukses t’i bëjnë riparime të pashembullta një teleskopi me madhësinë e një autobusi, të cilin e pajisën me një kamer të re dhe mekanizma të tjera në distancë 560 kilometra nga Toka.

Astronauti John Grunsfeld tha se kompleksiteti i misionit Hubble tregon se sa rëndësi ka të dërgosh në hapësirë njerëz dhe jo thjesht robotë.

"Ne treguam se kjo teknologji mund të çohet edhe më tej. Se njerëzit mund të zgjidhin problemet në mënyrë krijuese dhe në kohë reale."

Në një rast, astronautëve iu desh të harxhonin orë të tëra për heqjen e një bulloni që kishte ngecur në njërën nga shufrat mbajtëse të teleskopit.

Më në fund, kontrollorët në Tokë i këshilluan astronautët ta hiqnin me forcë shufrën bashkë me bullonin.

Megjithë vështirësitë, astronautët thanë se e kishin lënë teleskopin 19-vjeçar në gjendje më të mirë se kurrë ndonjëherë. Shkencëtarët shpresojnë se teleskopi do të mund të punojë edhe 10 vjet të tjerë.

Hubble është teleskopi i parë i madh optik që vërtitet në orbitë rreth Tokës, mbi atmosferën, retë e shiut dhe ndotjen që e shtrembërojnë pamjen. Pamja e papenguar që ka teleskopi ka bërë që të merren imazhe spektakolare të galaktikave të largëta apo të gazeve dhe pluhurit që ngrihet nga yllësitë e panumërta.

Informacionet e mbledhura me anë të teleskopit Hubble kanë bërë të mundur të përcaktohet se Universi ka një moshë afro 13.7 miliard vjeçare.

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA e ka cilësuar punën e teleskopit Hubble si përparimin më të rëndësishëm të bërë në astronomi që nga koha kur fizikani italian Galileo Galilei e ktheu teleskopin e tij drejt yjeve 400 vjet më parë. //ii

XS
SM
MD
LG