Lidhje

David Aunkst: Punoj në një uzinë bërthamore mjaft të sigurt


Në Shtetet e Bashkuara ka 104 uzina bërthamore aktive të cilat prodhojnë rreth 20 përqind të energjisë elektrike që përdor vendi. David Aunkst, inxhinier në Uzinën Bërthamore “Crystal River” të Floridës, thotë se centralet bërthamore në kohën e sotme janë mjaft të sigurt dhe përbëjnë një burim të qendrueshëm për prodhimin e energjisë elektrike.

Zëri i Amerikës: Zoti Aunkst, përgjithësisht, a është fuqia bërthamore një metodë e sigurt për prodhimin e energjisë?

David Aunkst:
Po. Sepse në gjithë historinë 50-vjeçare të uzinave bërthamore për qëllime komerciale ka patur vetëm dy aksidente, njëri prej tyre në Shtetet e Bashkuara, në centralin bërthamor Three Mile Island. Dhe kjo nuk ishte për shkak të ndonjë difekti por ishte gabim i operatorit. Rasti tjetër ka qenë Çernobili.

Zëri i Amerikës: Pra pasojat e një keqfunsionimi të reaktorit bërthamor mund të jenë shkatërrimtare apo jo?

David Aunkst: Po, ashtu është. Siç ishte rasti i Çernobilit. Çernobili ndodhi sepse centrali bërthamor ishte një projekt i rusëve të cilët nuk kanë një strukturë izoluese dhe punojnë me grafit. Është njësoj sikur të kesh një uzinë bërthamore në oborrin e pasmë të shtëpisë. Kur ndodh diçka nuk e frenon dot. Në vetvete, këta reaktorë janë të pasigurt sepse vetë grafiti digjet me lehtësi dhe një flakë e zakonshme që nuk ka lidhje me lëndën bërthamore mund të shkaktojë zjarr në krejt bërthamën e centralit bërthamor.

Zëri i Amerikës:
Po uzinat e modelit amerikan, sa të sigurta janë ato?

David Aunkst: Uzinat e modelit amerikan janë standardi i botës sepse ne përdorim struktura izoluese prej betoni super të përforcuar që arrin përshembull deri në 2 metra trashësi. Ato janë projektuar të përballojnë goditjen e një avioni që mund të përplaset në to. Prandaj nuk mund të ndodhë kurrë që të çlirohet ndonjë sasi rrezatimi si ajo që u çlirua në Çernobil.

Zëri i Amerikës:
Sa e sigurt është bërthama e reaktorit nga ndonjë aksident?

David Aunkst: Bërthama e reaktorit është mjaft e sigurt sepse janë marrë masa të trefishta sigurie që mbulojnë njëra tjetrën. Fjala është për sistemet e ftohjes së bërthamës në rast se ajo mbinxehet. Edhe nëse këto sisteme prishen, reaktori kalon në gjendjen që ne e quajmë “qarkullim natyral” duke mënjanuar çdo rrezik.

Zëri i Amerikës:
Po tërmetet a janë një rrezik? A mund t’i bëjnë ballë uzinat bërthamore tërmeteve të fuqishëm?

David Aunkst: Patjetër. Ato janë projektuar duke patur parasysh lëkundjet sizmike. Për shembull, këtu në Florida ku unë punoj, tërmeti më i afërt i regjistruar ndonjëherë ka ndodhur qindra kilometra larg nesh në Karolinën e Jugut në vitin 1862. Dhe ndonëse që nga ajo kohë nuk ka patur ndonjë tërmet të tillë, uzina jonë është projektuar për t’i bërë ballë atij lloj tërmeti, pra për të qenë dyfish e sigurt.

Zëri i Amerikës: A mund të thuhet se në zona me aktivitet të lartë sizmik një cetral bërthamor do të ishte i rrezikuar.

David Aunkst: Jo aspak. Uzinat bërthamore në Kaliforni janë shumë afër pllakave tektonike por ato ndërtohen shumë më të fuqishme se uzinat në bregun lindor. Ato kanë absorbues të fuqishëm goditjesh dhe strukturat e izolimit janë shumë më të forta dhe mund të durojnë një tërmet prej 9 ballësh.

Zëri i Amerikës: Si shpjegohet që me gjithë masat e shumta të sigurisë, në Shtetet e Bashkuara ka patur një aksident bërthamor, siç ishte ai i vitit 1979 në uzinën që ndodhet në Three Mile Island.

David Aunkst: Në Three Mile Island nuk pati prishje të ndonjë pajisjeje por ishte gabim i operatorëve. Nëse ata nuk do të kishin bërë asgjë, reaktori do të ishte mbyllur vetë normalisht. Por ata keqinterpretuan atë që panë me sy, tamam si ai piloti i cili çorientohet dhe e çon avionin drejt tokës. Ata menduan se diçka po ndodhte kur në fakt asgjë nuk po ndodhte dhe zbuluan bërthamën e reaktorit. Megjithatë, që nga ajo kohë, teknologjia dhe mekanizmat e sigurisë janë përmirësuar më tej.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara mund të kenë personel të kualifikuar mirë për operimin e uzinave bërthamore. Po në vendet në zhvillim, si operohen ato?

David Aunkst: Natyrisht, ata punësojnë inxhinierë vendas sepse kjo është me leverdi ekonomike por aty punojnë edhe inxhinierë mjaft të kualifikuar nga vendet e tjera në varësi se kush e ka ndërtuar reaktorin. Ata trajnojnë inxhinjerët vendas po ashtu si do të trajnonin njerëzit në vendet e tyre. Dhe deri tani nuk ka patur probleme.

Zëri i Amerikës: Si janë nivelet e rrezatimit radioaktiv brenda dhe jashtë uzinës ku ju punoni? Mendoni se shëndeti juaj mund të preket nga rrezatimi?

David Aunkst: Jo, jo. Ne jemi vazhdimisht të monitoruar. Mbajmë me vete gjatë gjithë kohës një pajisje e cila analizohet çdo muaj në laborator dhe pastaj na raportohet se sa rrezatim mund të kemi marrë apo nëse i jemi afruar kufirit të lejuar. Këtu afër ku unë punoj ka edhe 4 termocentrale me qymyr dhe sasia e rrezatimit që punëtorët e atjeshëm marrin brenda një jave nga qymyrguri është e barabartë me atë që marrim ne për dy vjet. E megjithatë, ata nuk monitorohen fare për rrezatimin.

Zëri i Amerikës: Uzina juaj bërthamore është ndërtuar pranë detit dhe jo shumë larg plazheve të njohur të Floridës. A nuk ka rrezik që uji të ndotet nga rrezatimi pasi përdoret për ftohjen e reaktorit?

David Aunkst: Jo, kjo do të ishte thuajse e pamundur sepse uji i detit nuk përdoret direkt për ftohjen e bërthamës së reaktorit por kalon nëpër të ashtuquajturit shkëmbyes të nxehtësisë dhe uzina jonë ka tre të tillë, të vendosur njëri pas tjetrit.

Zëri i Amerikës: A është depozitimi i mbetjeve radioaktive një problem në Shtetet e Bashkuara?

David Aunkst: Duket se në vendin tonë është problem sepse sa herë që shpenzohen miliarda dollarë për të krijuar tunele depozitimi, në minutën e fundit, kur ato duhet të përdoren, dalin njerëz që thonë se nuk duan t’i kenë pranë vendeve ku banojnë. Kjo është edhe çështje politike. Ju keni dëgjuar për malet Jaka. Është hera e tretë që shpenzojmë miliarda dollarë për krijimin e vendeve të depozitimit në atë zonë. Në fillim qeveritë lokale i duan ato sepse shpenzimi i këtyre fondeve krijon shumë vende pune. Por kur tunelet e depozitimit janë gati për t’u vënë në punë, njerëzit nuk i duan t’i kenë pranë. Kështu që uzinat detyrohen t’i depozitojnë mbetjet në territorin e vet.

Zëri i Amerikës: Dhe përse njerëzit kanë frikë?

David Aunkst: Mendoj se një pjesë e mirë e kësaj vjen nga padija. Nuk do të thosha nga budallallëku por nga padija. Ata që kundërshtojnë nuk e dinë se nëse çdo gjë bëhet në rregull, nuk ka asnjë problem.

Zëri i Amerikës: Cila është e ardhmja e energjisë bërthamore në Shtetet e Bashkuara?

David Aunkst: Në Shtetet e Bashkuara janë paraqitur më tepër se 50 aplikime për të ndërtuar uzina bërthamore në pjesë të ndryshme të vendit. Uzinat bërthamore kushtojnë shumë për t’u ndërtuar por të çlirojnë nga varësia e naftës dhe e qymyrit dhe çmimi i energjisë është thuajse konstant. Disa thonë se Amerika ka nevojë për 200 uzina bërthamore që të çlirohet nga varësia e qymyrgurit sepse tek ne, 50% e energjisë elektrike prodhohet nga qymyrguri, i cili është e kundërta e energjisë bërthamore: ndërtimi i termocentraleve me qymyrguri është i lirë si çmim por ndotja prej tyre është shumë e madhe. //ii

XS
SM
MD
LG