Lidhje

Ban Ki Mun bën thirrje për bashkëpunim më të mirë ndërkombëtar


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet për të punuar së bashku në zgjidhjen e çështjeve globale. Ai thotë se ndryshimi i klimës duhet të jetë përparësi dhe fajësoi mungesën e vullnetit politik për vazhdimin e konfliktit në rajonin Darfur të Sudanit. Zoti Ban i bëri komentet gjatë një ceremonie diplomimi në Uashington.

Gjatë fjalimit në një ceremoni diplomimi në Uashington, sekretari i përgjithshëm i OKB-së tha se nevojitet një bashkëpunim i gjithanshëm për parandalimin e urisë dhe përmirësimin e kujdesit shëndetsor, arsimin dhe sigurinë globale. Ai tha se kriza ekonomike shërben si shembull i qartë për të treguar ndërvarësinë e botës.

“Kush do ta kishte menduar para pak vitesh se një krizë kredish shtëpish në Arizona apo Florida do të rrëzonte qeveri në Europë dhe të trendiste ekonomitë dhe shoqëritë në Amerikën Latine, Azi dhe Afrikë? Ndoshta duhet ta kishim parashikuar dhe të kishim vepruar me kohë. Megjithatë, përgjigja jonë ka qenë e mirë.”

Zoti Ban tha se përgjigja ndërkombëtare ndaj epidemisë së gripit H1N1 është një tjetër shembull i bashkëpunimit mes vendeve.

“Ne këmbëngulëm që informacioni, ilaçet, vaksinat dhe burimet financiare të ndaheshin barabar, në mënyrë që vendet më të varfëra dhe më të dobëta të mos prekeshin më shumë dhe të na vinin të gjithëve në rrezik.”

Por sekretari i përgjithshëm i OKB-së tha se komuniteti ndërkombëtarë duhet të shtojë përpjekjet për trajtimin e çështjeve si ndryshimi i klimës. Ai tha se duhet të arrihet një marrëveshje për reduktimin e gazeve të dëmshme para se të jetë vonë.

“Kam udhëtuar në të gjithë globin për dy vjet e gjysëm me radhë, duke tërhequr vëmendjen tek ky kërcënim për njerëzimin. Kam parë pllakat e akullit të shkëputen në Antarktidë dhe akullnajat të shkrihen në Ande.”

Megjithëse Kombet e Bashkuara kanë dislokuar 26 mijë trupa paqeruajtëse në rajonin Darfur të Sudanit, tha zoti Ban, ata nuk kanë qenë në gjendje të ndalin luftën mes rebelëve dhe qeverisë. Ai fajësoi negociatat e ngecura politike dhe dështimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Ne i dërguam trupat, por vendet që i kërkuan nuk i mbështetën ata. Ata nuk dërguan burime si helikopterë për të na lejuar ne ta kryejmë misionin me efikasitet, duke shpëtuar jetë njerëzish dhe duke ndihmuar ata në nevojë. Darfuri tregon se çfarë ndodh kur bashkëpunimi ndërkombëtar nuk funksionon si duhet.”

Zoti Ban tha se OKB-ja po punon për ndërhyrje më të shpejta për të parandaluar konflikte në mbarë botën dhe nevojën për misione të shtrenjta paqeruajtëse. Megjithatë, tha ai, bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë së bashku për të ndihmuar në këtë drejtim. //bsa//

XS
SM
MD
LG