Lidhje

Presidenti Obama shqyrton kandidaturat për Gjykatën e Lartë


Presidenti Obama do të ketë një mundësi që pak Presidentë amerikanë e kanë pasur në fillimin e mandatit të tyre, ai do të ketë mundësinë të zgjedhë një anëtar të Gjykatës së Lartë. Zoti Obama po shqyrton kandidaturat e mundshme gjatë fundjavës që shënon Ditën e të Rënëve në qendrën presidenciale Kemp Dejvid në rrethinat e Uashingtonit. Këshilltarët e Presidentit po zhvillojnë bisedime me një sërë kandidatësh në lidhje me zgjedhjen e ardhshme të anëtarit më të ri të Gjykatës së Lartë.

Përbërja e Gjykatës së Lartë amerikane së shpejti do të pësojë ndryshime, pasi presidenti Obama pritet të emërojë zëvëndësin për anëtarin e saj Dejvid Sutër. Presidenti tha se e di mirë se çfarë kërkon nga anëtari më i ri i Gjykatës.

"Personi që do të emëroj duhet të kuptojë mirë dhe të shohë veten tek shpresat dhe sfidat njerëzore. Kjo do të jetë themelore për të marrë një vendim të drejtë".-tha ai

Këshilltarët e zotit Obama kanë zhvilluar bisedime me kandidatët e mundshëm. Dhe, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se zoti Obama i njeh mirë disa nga kandidaturat kryesore.

Disa ekspertë të politikës thonë se zoti Obama mund të zgjedhë një grua. Sandra Day O'Konor, e para anëtare femër e Gjykatës, përfundoi karrierën në vitin 2006, duke lënë gjykatësen Ruth Ginsberg si gruan e vetme në Gjykatë.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë shumë detaje mbi këtë zgjedhje. Emrat më të përfolur janë kryesisht gra me përvojë të fortë ligjore.

Të gjitha janë juriste dhe disa janë gjykatëse. Dy nga to kanë shërbyer si profesore në Departamentin Ligjor të Universitetit të Çikagos. Analistët thonë se zoti Obama mund të zgjedhë dikë që i përket pakicës hispanike duke qënë se ky grup demografik po gëzon rritjen më të shpejtë në Amerikë. Ramona Romero, Presidente e Shoqatës Kombëtare Hispanike të Juristëve, thotë:

"Deri në vitin 2050, pritet që hispanikët të përfaqësojnë rreth 30% të popullatës amerikane. Ja pse Gjykata e Lartë duhet të njohë nga afër problemet e tyre".

Senati amerikan duhet të miratojë zgjedhjen e Presidentit. Senatorët pritet t'i drejtojnë pyetje të vështira personit që do të emërohet nga zoti Obama.

Pritet që grupet konservatore të kundërshtojnë çdo kandidat që do ta shohin si aktivist politik. Konservatorët besojnë se anëtarët e Gjykatës së Lartë duhet ta interpretojnë kushtetutën amerikan ashtu si Baballarët e Kombit e hartuan atë në shekullin e 18-të.

Kërt Livi është drejtor ekzekutiv i grupit konservativ "Komiteti për Drejtësi".

"Ne zgjedhim hartuesit e politikave, Presidentin, Legjislaturën federale dhe ato shtetërore dhe Guvernatorët. Detyra e Gjykatësve është që ata të interpretojnë ligjet që miratojnë dhe jo të hartojnë politika siç i shohin ata, ndaj është e rëndësishme që Gjykatësit të përqendrohen tek thelbi ligjor i çështjeve".- thotë ai

Gjatë mandatit të zotit Obama, Gjykata mund të marrë në shqyrtim çështje që mund të përfshijnë politikat e administratës dhe tema të debatueshme si aborti, ligjet shtetërore që lejojnë martesën mes homoseksualëve dhe reformat e shumpërfolura në fushën e emigracionit.

Presidenti është takuar tanimë me anëtarë kyç të Komisionit Gjyqësor të Senatit, komision që do të shqyrtojë i pari këtë emërim. Dhe, duke marrë parasysh që Gjykata e Lartë ka një sërë anëtarë në moshë, kjo ka gjasa të mos jetë hera e fundit kur Presidenti do të zgjedhë një anëtar të Gjykatës. //mm//

XS
SM
MD
LG