Lidhje

Kolin Pauell: Mbetem republikan, partia të bëhet më e moderuar


Ish Sekretari amerikan i Shtetit Kolin Pauell thotë se ai mbetet republikan dhe mendon se partia duhet të jetë më e hapur ndaj pikpamjeve të ndryshme dhe më e moderuar. Ndërkohë, disa figura të njohura konservatore e kanë venë në pikëpyetje besueshmërinë e tij si republikan.

Zoti Kolin Pauell iu përgjigj kështu kritikëve gjatë një interviste në rrjetin televiziv CBS:

"Le të debatojmë për të ardhmen e partisë. Le të marrin pjesë në këtë debat të gjitha segmentet e partisë!"

Por disa nga figurat më të njohura në krahun e djathtë konservator të Partisë Republikane thonë se zoti Pauell nuk ka më zë në këtë parti. Mes tyre është ish Nënpresidenti Dik Çejni, i cili kohët e fundit i tha rrjetit televiziv CBS se ka përshtypjen që zoti Pauell është larguar nga radhët e republikanëve gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar.

"Ai mbështeti kandidatin demokrat për president, Barak Obama. Besoj se kjo është një shenjë që tregon se ku qendron ai dhe ku janë interesat e tij."

Zoti Pauell, një nga figurat politike më të respektuara dhe më të njohura afrikano-amerikane, zgjodhi të njëjtin rrjet televiziv për t’ju përgjigjur kritikave.

"Unë jam ende republikan. Do të desha të vija në dukje se gjatë 50 vjetëve që votoj për kandidatët presidencialë, unë kam votuar gjithmonë për njeriun që ka cilësitë më të mira për të drejtuar vendin. Vitin e kaluar, për mendimin tim, ky njeri ishte Barak Obama. Gjatë 20 vjetëve të kaluar, unë gjithnjë kam votuar për kandidatët republikanë."

Ai tha se shikon aktualisht një betejë për mendjen dhe zemrën e Partisë Republikane mes të moderuarve, siç është vetë, dhe konservatorëve radikalë.

Zoti Pauell tha se nëse Partia Republikane shkon nga e djathta, atëhere ajo do të humbasë edhe më shumë anëtarë.

"Gjithmonë e kam ndjerë se Partia Republikane duhet të jetë më e hapur ndaj pikpamjeve të ndryshme se sa ka qenë përgjithësisht gjatë viteve. Besoj se ne kemi nevojë për një parti të fortë republikane e cila nuk mbetet e gozhduar tek baza por ngrihet mbi këtë bazë për të përfshirë më tepër njerëz."

Kohët e fundit, zoti Pauell tha para një audience në Boston se një Parti e re Republikane pritet të lindë. Kritikët u përgjigjën duke e quajtur atë tradhtar të partisë, që do të bënte mirë të kalonte në radhët e demokratëve. //ii

XS
SM
MD
LG