Lidhje

Konferenca Islamike miraton rezolutën për Kosovën


Organizata e Konferencës Islamike ka miratuar sot rezolutën për Kosovën, në të cilën thuhet se që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka shënuar përparim në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Rezoluta e hartuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe e mbështetur nga Mbretëria e Arabisë Saudite, është votuar njëzëri në sesionin e 36 të Këshillit Islamik të Organizatës së Konferencës Islamike që po mbahet në Damask të Sirisë.

Përmes saj, u bëhet thirrje shteteve anëtare të kësaj organizate që të vazhdojnë të mbështesin Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj. Rezoluta, që është e para e këtij lloji, i jep për detyrë Sekretarit të Përgjithshëm të Konferencës Islamike që të raportojë në takimet e ardhshme të Konferencës mbi zhvillimet në Kosovë.

Ndonëse, në Rezolutë nuk bëhet thirrje qartazi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, autoritetet në Kosovë e kanë quajtur të rëndësishëm miratimin e saj. Kryeministri i vendit Hashim Thaçi dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, thanë se kjo rezolutë do t’i ndihmojë Kosovës në shtimin e numrit të njohjeve nga shumë vende të konferencës islamike.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, tha se Beogradi nuk ka arritur të bllokojë Rezolutën e cila sipas tij është një e arritur e madhe për Kosovën dhe një sukses i jashtëzakonshëm për diplomacinë e Shqipërisë.

Për momentin nuk ka pasur komente nga diplomacia serbe, shefi i së cilës, Vuk Jeremic e kishte cilësuar mbrëmë sukses të Serbisë, heqjen e thirrjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga teksti i rezolutës.//ek

XS
SM
MD
LG