Lidhje

Oklahoma, një nga shtetet amerikane që shfrytëzon energjinë e erës


Ndërsa amerikanët përballen me vështirësitë ekonomike, disa komunitete rurale po i hedhin sytë nga energjia e erës. Në shtetin qëndror të Oklahomës, i njohur për tornadot e shpeshta, era shihet tani si një forcë pozitive nga shkencëtarët, bizneset dhe universitetet.

Ditët me erë janë të shpeshta në Oklahoma. E njëjta erë që ndonjëherë bën kërdinë, aktivizon tani turbinat 100 metra të larta që dallohen nga autostrada dhe spikasin në zonat rurale, duke prodhuar energji për qytetin. Secila turbinë kushton rreth 2 milionë dollarë për t’u ndërtuar dhe instaluar. Specialistët paguajnë gjithashtu pronarët e tokës 4 deri në 6 mijë dollarë në vit qira për të vënë një turbinë në tokën e tyre.

Në kthim, pronarëve të tokave u kërkohet të grumbullojnë të dhëna nga secila turbinë për të perfeksionuar teknologjinë, siç shpjegon Angie Albers.

"Ata masin rrotullimet e turbinave dhe i shënojnë këtu. Këto informacione që i marrim me postë nga pronarët e tokave më pas i përpunojmë për të nxjerrë rezultatet".

Albers, që është koordinator i projektit të financuar nga qeveria, Oklahoma Wind Power Initiative, e sheh erën si një rrugë të re që mund të ndihmojë ekonomikisht komunitetet rurale.

"E shoh si një zhvillim që po ndodh tani dhe do të vazhdojë për shumë vite. Mendoj se mund të ndihmojë komunitetet në vështirësi të mbajnë spitalet dhe shkollat e tyre dhe të vazhdojë jetën duke sjell biles njerëz të tjerë në këto komunitete".

Kompania Bergey Windpower me bazë në Oklahoma ka prodhuar turbina për përdorim rezidencial që nën administratën e presidentit Jimmy Carter në fund të viteve 1970. Tani presidenti Barak Obama po i shton subvensionet dhe lehtësirat në taksa për ta bërë fuqinë e erës më të lirë kështu që bizneset në këtë sektor po shtohen.

Universiteti i Oklahoës paguan një shumë tek kompania për të siguruar që uzina e kampusit të tij të jetë tërësisht me energji nga era deri në vitin 2013. Nënpresidenti i universitetit Byron Burr Millsap tregon se sa krenar është për kampusin.

"Kjo është pjesa jugore e kampusit ku është edhe zona kryesore akademike. Këtu zhvillohen shumë aktivitetet akademike dhe siç e shihni kemi mjaft vend për të parkuar biçikleta".

Ai thotë se universiteti mund të jetë model i një Amerike më të gjelbërt në të ardhmen.

"Mendoj se e dimë mirë nevojën për të qënë më të përqëndruar dhe më kërkues për burime të rigjenerueshme të energjisë dhe më pak të varur në naftën e huaj dhe burimet e tjera jashtë vendit. Jemi mjaft të përqëndruar për t’ja arritur kësaj, për ta bërë ajrin më të pastërt dhe për të ruajtur natyrën në mënyrë që fëmijët tanë të kenë të njëjtat burime që kemi ne sot".

Përveç kritikëve që thonë se turbinat e erës nuk janë ekonomike dhe të qëndrueshme për tu përdorur në shkallë të lartë, ka shumë oklahomas të gatshëm të shohin më shumë nga këto turbina përgjatë autostradës dhe peisazhit të sheshtë, dhe të përkushtuar për të drejtuar këtë teknologji që mund të sjellë një përqindje më të madhe të energjisë nga fuqia e erës. //iç//

XS
SM
MD
LG