Lidhje

Fuqitë botërore dënojnë ashpër veprimet e Phenianit


Ambasadorja amerikan në Kombet e Bashkuara, Suzën Rajs, tha se Koreja e Veriut do të ndëshkohet për qendrimin sfidues ndaj komunitetit ndërkombëtar me provat e saj provokuese bërthamore dhe të raketave.Zonja Rajs tha sot për kalnalet televizive amerikane se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po punon për një rezulutë të reptë në përgjigje të qendrimit të Phenianit. Por ajo nuk tha se cilat do të ishin sanksionet shtesë ndaj shtetit komunist. Koreja e Veriut ka bërë tri prova të tjera me raketa me rreze të shkurtër veprimi, megjithë qendimin e fortë ndërkombëtar kundër provës së saj të nëndheshme bërthamore Mbrëmë vonë, në një sesion të jashtëzakonshëm, 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dënuan njëzëri provën bërthamore të Koresë së Veriut. Këshilli i Sigurimit tha se po përgatitej për një përgjigje të fuqishme ndaj Phenianit, por nuk u bë e qartë se sa larg është i predispozuar të shkojë Këshilli i Sigurimit.

Provat e fundit u dënuan ashpër nga komuniteti ndërkombëtar. Në Japoni parlamenti miratoi një rezolute ku thuhet se provat përbëjnë shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe Deklaratave të Phenianit të vitit 2002 të nënshkruar nga Korea e Veriut dhe Japonia. Rezoluta parlamentare kërkon që qeveria japoneze të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Phenianit duke sugjeruar sanksione më të rrepta ekonomike.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Ma Zhaoxu përsëriti sot një deklaratë të mëparshme të ministrisë ku thuhet se Pekini kundërshton vendosmërisht provën bërthamore. Ministrat e mbrojtjes së Koresë së Jugut dhe Kinës u takuan sot për të diskutuar veprimet e fundit të Koresë së Veriut.

Ministrat e jashtëm evropianë dhe aziatikë sot i bënë thirrje Koresë së Veriut të kthehet menjëherë në bisedimet diplomatike që synojnë t’i japin fund programit të saj bërthamor.

Në përfundim të takimit dyditor në Hanoi ministrat dënuan kryerjen e provës së dytë bërthamore nga Veriu si shkelje të rezulutave të OKB-së dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Dje presidenti Obama u përgjigj me fjalë të ashpra ndaj njoftimit të Koresë së Veriut për kryerjen e provës bërthamore dhe vendimit të saj për të kryer një seri provash me raketa me rreze të shkurtër.

"Korea e Veriut nuk to të gjejë sigurinë dhe respektin përmes kërcënimeve dhe armëve të paligjshme. Ne do të punojmë me miqtë dhe aleatët tanë për t’ju përgjigjur kësaj sjelljeje. Ne do t’i dyfishojmë përpjekjet tona drejt një regjimi ndërkombëtar më të fuqishëm për mospërhapjen e armëve bërthamore që të gjitha vendet kanë detyrimin të përmbushin."

Muajin e kaluar Korea e Veriut kërcënoi të rifillonte punën në reaktorit e Yongbionit. Ajo gjithashtu është larguar nga bisedimet gjashtë palëshe që synojnë t’i japin fund programit të saj bërthamor.

Prova e Phenianit bëri që Seuli të njoftonte sot planet për të marrë pjesë në një nismë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që synon interceptimin e çdo ngarkese që dyshohet se ka materiale për armë të shkatërrimit në masë. Vendimi i jep fund një debati të gjatë në Jug i cili më parë i kishte shmangur këto manovra nga frika se do të zemëronte Phenianin. Korea e Veriut ka thënë në të kaluarën se një vendim i tillë do të konsiderohej si shpallje lufte.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se programet bërthamore dhe raketat balistike të Koresë së Veriut përbëjnë një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë në botë. Duke patur parasysh se Rusia, Kina dhe Korea e Jugut kanë dënuar veprimet e Koresë së Veriut, presidenti tha se Pheniani po kërkon vetë trysni ndërkombëtare.

Por zyrtarët amerikanë thanë se shtytja për sanksione kundër Koresë së Veriut do të varet nga gadishmëria e Kinës dhe Rusisë që kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Megjithëse Kina e ka kundërshtuar me forcë provën bërthamore të Koresë së Veriut, Pekini përsëriti thirrjet e tij për komunitetin ndërkombëtar për të treguar gjakëftohtësi në formulimin e një përgjigjeje.

Analistët janë të ndarë në vlerësimet e tyre për arsyet e këtyre lëvizjeve ushtarake nga ana e Koresë së Veriut. Disa thonë se Korea e Veriut mund të jetë duke u përpjekur të krijojë avantazh në negociatat me komunitetin ndërkombëtar; të tjerë thonë se prova mund të jetë pjesë e një beteje të brendshme politike në Phenian. //ad//

XS
SM
MD
LG