Lidhje

Vendet në zhvillim nuk janë gati të pakësojnë dioksidin e karbonit


Ministri gjerman i Mjedisit Sigmar Gabriel thotë se vendet në zhvillim nuk janë ende në gjendje të pakësojnë sasinë e dioksidit të karbonit që shumë shkencëtarë mendojnë se është përgjegjës për ngrohjen globale.

Zoti Gabriel foli në Paris dje në përfundim të ditës së parë të një takimi dyditor për ndryshimet e klimës.

Ai tha se sa më shumë të vonohen vendet e industrializuara për arritjen e një marrëveshjeje për një politikë të përbashkët, aq më shumë kohë do t'u duhet ekonomive në rritje dhe vendeve që shkaktojnë ndotje të lartë si Kina dhe India që të angazhohen për pakësimin e sasisë së çliruar.

Ministri francez i Mjedisit Zhan Lui Borlo po u bën thirrje vendeve të industrializuara për t'i ulur këto gazra të dëmshme 25 deri në 40 për qind deri në 2020.

Zyrtarë të mjedisit nga 17 vende marrin pjesë në bisedimet e Parisit.

Është një nga takimet që mbahen para një konference madhore të Kombeve të Bashkuara në Kopenhagë në dhjetor.

Takimi i OKB-së ka si synim të arrijë një marrëveshje për një pakt për ngrohjen globale për të zëvendësuar Protokollin e Kiotos të cilit i skadon afati në vitin 2012. //kk//

XS
SM
MD
LG