Lidhje

Prishtina: Rezoluta e OKI-së i referohet qartazi pavarësisë


Autoritetet në Prishtinë besojnë se me miratimin e rezolutës për Kosovën nga Organizata e Konferencës Islamike, do të shtohet numri i vendeve që do të njohin pavarësinë e Kosovës. Ndonëse në këtë rezolutë nuk bëhet thirrje qartazi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, udhëheqësit në Prishtinë thanë sot se, kjo rezolutë i referohet qartazi deklaratës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe kushtetutës së saj.

Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, tha se votimi njëzëri i rezolutës nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, është shprehje e një qëndrimi të përbashkët dhe e politikave të përbashkëta pozitive të këtyre vendeve kundrejt Kosovës.

“Me këtë e themi se shprehet një ujdi e përbashkët e gjithë vendeve anëtare të Konferencës Islamike në radhë të parë për të vlerësuar proceset pozitive nëpër të cilat ka kaluar Kosova, e që është drejtpërdrejtë njohje e realiteteve dhe e zhvillimeve tona pozitive. Në të njëjtën kohë konsiderojmë se është një mbështetje për vizionit tonë politik dhe në të njëjtën kohë një përkrahje që ne e kuptojmë në trendin e filluar të njohjeve që duhet t’i bëhen Republikës së Kosovës”.

Kryeministri, Hashim Thaçi, tha ndërkaq se, me miratimin e kësaj rezolute, e cila sipas tij, ka referenca shumë të qarta në deklaratën e pavarësisë dhe në kushtetutën e vendit, Kosova ka hyrë përfundimisht në agjendën pozitive edhe të organizatës së konferencës islamike… “Ne u jemi shumë mirënjohës të gjitha këtyre shteteve të cilat po e përkrahin shtetin e Kosovës, edhe pse deri më tani vetëm 13 nga 57 shtete anëtare të konferencës e kanë pranuar shtetin e Kosovë, miratimi me unanimitet të plotë i kësaj rezolute është mesazh i qartë dhe shtytje edhe më e madhe që të gjitha këto shtete në të ardhmen e afërt ta njohin republikën e Kosovës”.

Rezoluta u bënë thirrje shteteve anëtare të kësaj organizate që të vazhdojnë të mbështesin Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj. Derisa udhëheqësit në Prishtinë vlerësojnë se kjo rezolutë do t’i ndihmojë Kosovës në shtimin e numrit të njohjeve, zyrtarë të Serbisë thonë se rezoluta nuk përmban thirrje për njohje të pavarësisë, e as për mbështetje të pavarësisë së Kosovës duke e cilësuar këtë si një fitore të diplomacisë serbe. Beogradi vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës të cilën deri tash e kanë njohur 60 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian. //ad//

XS
SM
MD
LG