Lidhje

Sotomajor përballë një beteje të vështirë konfirmimi në Senat


Presidenti Barak Obama shpreson që të futet në histori me emërimin e parë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Nëse konfirmohet nga Senati, gjykatësja Sonia Sotomajor do të jetë e para hispanike në Gjykatën e Lartë dhe anëtarja e dytë grua pas gjykatëses Ruth Bejdër Ginsburg.

Përkrahësit thonë se Presidenti Obama çoi në vend premtimin për të emëruar një anëtare të Gjykatës së Lartë që jo vetëm e njeh mirë të drejtën, por që do të sjellë gjithashtu një përvojë jete të vlefshme në gjykatë.

“Është një përvojë që i jep personit aftësinë për të vlerësuar anën njerëzore, dhimbjen njerëzore, e bën të kuptojë sesi funksionon bota dhe si jetojnë njerëzit e thjeshtë. Dhe për këtë arsye është një element i nevojshëm për drejtësinë që duam të ndjekë Gjykata e Lartë”.

Gjykatësja Sotomajor është 54 vjeç dhe u rrit në një nga zonat më të varfra në lagjen Bronks të Nju Jorkut. Prindërit e saj kanë ardhur nga Porto Riko dhe i ati vdiq kur ajo ishte nëntë vjeç. Është e gjitha pjesë e asaj që Presidenti Obama e quajti një rrugëtim jetësor frymëzues. Si gjykatëse federale, zonja Sotomajor nuk i ka harruar kurrë rrënjët e saj.

“Unë kam një besim të patundur tek shteti ligjor si themel i të drejtave tona bazë. Unë bëj të gjitha përpjekjet për të mos harruar kurrë pasojat konkrete që vendimet e mia kanë tek individët, bizneset dhe qeveria”.

Megjithë fillimet e saj të thjeshta, zonja Sotomajor ka një përvojë të pasur ligjorem, me diploma në drejtësi nga Universitetet Princeton dhe Yale. Ajo u caktua si gjykatëse federale në vitin 1992 dhe është një nga kandidatet me më shumë përvojë ligjore që emërohet për Gjykatën e Lartë prej dekadash.

Grupe veprimtarësh liberalë dhe hispanikë e përshëndetën emërimin e saj. Brent Uilkis është përfaqësues i njërës nga organizatat më të vjetra për të drejtat e hispanikëve, Lidhja e Qytetarëve të Bashkuara Latino-Amerikanë.

“Ajo është një juriste e jashtëzakonshme, e pëlqyer nga shumë, e rreptë por pa paragjykime. Ajo do ta ndihmojë Gjykatën e Lartë t’i kuptojë disa nga njerëzit që dalin para saj dhe përvojat e tyre”.

Nëse konfirmohet zonja Sotomajor do të bëhet e para gjykatëse hispanike në Gjykatën e Lartë dhe burim krenarie për hispaniko-amerikanët. Ramona Romero është presidente e Shoqatës Kombëtare të Avokatëve Hispanikë.

"Pritet që deri në vitin 2050, hispanikët do të përbëjnë rreth 30 për qind të popullsisë amerikane dhe për këtë arsye vendimet e gjykatës që kanë ndikim në jetën e të gjithë amerikanëve, duhet ta marrin parasysh përvojën hispanike”.

Zonja Sotomajor duhet të përgatitet tani për seancat e konfirmimit para Komisionit Juridik të Senatit. Konfirmimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë mund të marrin ngjyrime të forta politike dhe disa grupe konservatore kanë filluar ta shprehin kundërshtimin ndaj kandidates së emëruar nga Presidenti. Uendi Long është është përfaqësuese e Rrjetit të Konfirmimeve Juridike.

"Ata vazhdojnë të preferojnë aktivistë liberalë që i marrin vendimet për çështjet duke u mbështetur tek ndjenjat dhe programet politike personale dhe jo në tekstet, historinë dhe parimet e Kushtetutës dhe ligjet tona”.

Por mbetet për t’u parë se deri ku do të shkojnë Republikanët për të bllokuar emërimin e Gjykatëses Sotomajor. Demokratët kanë pothuajse 60 nga 100 vendet e senatit, duke e bërë të vështirë për republikanët që të sigurojnë vota të mjaftueshme për ta ndaluar konfirmimin me taktika parlamentare.

Por republikanë si Senatori Xhon Kil i Arizonës po angazhohen për një analizë të hollësishme gjatë seancave të konfirmimit.

“Ne do të dijmë të dallojmë mes një gjykatëseje liberale nga njëra anë dhe një gjykatëseje që nuk i merr vendimet në bazë të meritave, por duke u mbështetur në ide të paracaktuara”.

Demokratët janë të bindur për shanset e konfirmimit të zonjës Sotomajor në Senat. Senatori demokrat Çarls Shumer i Nju Jorkut foli në televizionin MSNBC.

“Mendoj se nuk është e favorshme për Republikanët ta kundërshtojnë emërimin e saj. Është shumë e vështirë për çdo senator të secilës palë të votojë kundër saj”.

Nëse konfirmohet, Gjykatësja Sotomajor do të bëhej anëtarja e dytë grua në gjykatën aktuale, pas gjykatëses Ruth Bejdër Ginsburg.

Konfirmimi i zonjës Sotomajor nuk pritet ta ndryshojë dinamikën e gjykatës, ku fraksioni republikan zakonisht është më i madh sesa pakica liberale, shpesh me votime pesë me katër.

Zonja Sotomajor pritet që të ndjekë linjën më liberale në gjykatë, pak a shumë si anëtari të cilit do t’i zërë vendin, gjykatësi Dejvid Suter. //kk//

XS
SM
MD
LG