Lidhje

Presidenti Sejdiu anulon planet për vizitë në Maqedoni


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka anuluar vizitën e tij të paraparë për nesër në Maqedoni. Sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e Presidentit të Kosovës, thuhet se presidenti ka anuluar vizitën në Republikën e Maqedonisë, pasi pala maqedonase ka ndryshuar karakterin e vizitës zyrtare. Ndonëse në njoftimin e zyrës së presidentit nuk jepen arsyet për anulimin e kësaj vizite, sipas njoftimeve në mediat maqedonase, presidenti Sejdiu do të pritej në Shkup pa ceremoni zyrtare por vetëm në vilën private të presidentit maqedonas Ivanov.

Vizita e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në Maqedoni qe paraparë të ndodhë dy javë pas ceremonisë së përurimit të presidentit të ri maqedonas, Gjorgje Ivanov, në të cilën presidenti Sejdiu nuk qe ftuar zyrtarisht duke nxitur reagime në Kosovë, por edhe të presidentit të Shqipërisë Bamir Topi.

Mungesa e ftesës për presidentin Sejdiu, u tha se kishte ndodhur për të mos nxitur reagimin e presidentit të Serbisë, Boris Tadic, vendi i të cilit ka tërhequr ambasadorin e tij nga Shkupi pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia.

Edhe pas anulimit të vizitës së presidentit Sejdiu në Shkup, në njoftimin e lëshuar nga presidenca thuhet se institucionet e Kosovës, mbeten të përkushtuara për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e veçmas me fqinjët, duke u dhënë këtyre marrëdhënieve peshën dhe vlerën serioze që e meritojnë. //ad//

XS
SM
MD
LG