Lidhje

Prishtina: Pavarësia e Kosovës faktor stabiliteti në rajon


Përfaqësuesit politikë në Prishtinë thonë se pavarësia e Kosovës ka ndikuar në qëndrueshmërinë e përgjithshme të gjithë rajonit, por ruajta e kësaj qëndrueshmërie sipas tyre shtron nevojën e bashkëpunimit të të gjitha vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë edhe Serbinë. Këto komente u bënë në një debat mbi sigurinë rajonale të organizuar nga Klubet për integrime euroatlantike të Kosovës dhe Bullgarisë, në të cilën u theksua se siguria në vendet e Ballkanit Perëndimor është kushti kryesor për integrimin e këtyre vendeve në strukturat euro atlantike.

Ministri i punëve të brendshme, Zenun Pajaziti, tha se kërcënimet e sigurisë nuk i njohin kufijtë gjeografik andaj edhe masat për luftimin e këtij kërcënimi nuk duhet të kufizohen në kufijtë e vendeve veç e veç.

“Bashkëpunimi rajonal në përgjithësi dhe në sektorin e sigurisë në veçanti është kyç për sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt dhe për luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmin. Janë dy gjëra që na bashkojnë me të gjitha vendet e rajonit, natyra e njëjtë e problemeve të shumta që i kemi dhe me të cilat ne përballemi çdo ditë, si dhe qëllimi i përbashkët për integrim në familjen e madhe euro-atlantike”.

Udhëheqësi i Klubit Atlantik të Bullgarisë, Velizar Shalamanov, thotë ndërkaq se ruajtja e qëndrueshmërisë në rajon dhe bashkëpunimi ndërmjet këtyre vendeve është kushti kryesor për integrimin e këtyre vendeve në strukturat euro atlantike.

“Ajo që dua të theksoj është se siguria është baza kryesore por menjëherë pas saj, neve na duhen njerëzit, na duhen njerëzit e edukuar, na duhet teknologjia, veçanërisht teknologjia e informimit dhe po ashtu na duhet infrastruktura e cila do t’i ndihmonte bashkëpunimit tonë”.

Udhëheqësi i Klubit Euroatlantik të Kosovës, Agim Ceku, tha se të gjitha kërcënimet e sigurisë janë ndër-rajonale dhe, sipas tij, ato mund të përballohen vetëm me një veprim të përbashkët të vendeve të rajonit.

“Mendoj se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë por nuk mund të themi se është e qëndrueshme përderisa ekzistojnë në Kosovë edhe forca jashtë vendit që dëshirojnë të provokojnë paqëndrueshmëri por edhe përderisa ekzistojnë pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës dhe përderisa në Kosovë veprojnë strukturat paralele serbe. Kështu që, tash për tash, forcat e sigurisë në Kosovë, si ato vendase edhe ato ndërkombëtare janë duke e mbajtur situatën të qetë, por siguria nuk garantohet vetëm me ushtarë dhe me tankse, por siguri e qëndrueshme është ajo e cila është e bazuar në bashkëpunim, në mirëbesim, në kooperim të të gjitha sferave të shoqërisë”.

Ish kryeministri i Kosovës shpreh bindjen se pavarësia e Kosovës ka ndikuar në qëndrueshmërinë e përgjithshme të rajonit, por ai thekson nevojën e bashkëpunimit edhe të mëtejmë të gjitha vendeve, përfshirë edhe Serbinë, në ruajtjen e kësaj qëndrueshmërie.

Por, edhe një vit pas shpalljes së pavarësisë situata e sigurisë në Kosovë vazhdon të mbetet e brishtë, kryesisht në pjesën veriore të vendit e banuar me shumicë serbe. Qytetarët e kësaj pjese vazhdojnë të kundërshtojnë pavarësinë sikurse edhe institucionet e Kosovës. Autoritetet e Kosovës thonë se janë të vendosura që të shtrijnë pushtetit në gjithë territorin, përfshirë edhe në veriun e vendit, por kanë përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për një gjë të tillë. //bsa//

XS
SM
MD
LG