Lidhje

Diplomacia publike dhe imazhi i Amerikës në botë


Zyrtarja kryesore e Departamentit amerikan të Shtetit për diplomacinë publike thotë se ka besim që imazhi i Amerikës në botë mund të përmirësohet pas dëmit që pësoi gjatë administratës së Presidentit Bush. Xhudit MëkHejll, ish ekzekutive e mediave, i bëri komentet gjatë një interviste për Zërin e Amerikës. Ajo sapo ka filluar punën si Nënsekretare e Shtetit për Diplomacinë Publike.

Zonja MëkHejll nuk parashikon ndonjë mrekulli në përmirësimin e imazhit të Amerikës në botë, i cili sipas anketave të opinionit ra në nivele historike gjatë administratës së kaluar. Politika e jashtëme e asaj administrate perceptohej si e njëanshme dhe e mbështetur kryesisht te forca ushtarake.

Nënsekretarja e re e shtetit thotë megjithatë se administrata Obama ka bërë një farë përparimi në përmirësimin e imazhit amerikan në botë, duke filluar me zgjedhjen dhe inaugurimin e presidentit të ri, i cili ka lidhje familjare me Kenian dhe i kaloi vitet e formimit të hershëm në Indonezi.

"Zgjedhja e tij pa dyshim që e ndihmoi imazhin tonë në botë në disa aspekte. Këtu hyjnë natyrisht rrënjët e tij në Afrikë si dhe periudha kur ai jetoi në Indonezi. Në fakt kam patur me të një bisedë për faktin që të dy kemi jetuar jashtë vendit kur ishim të vegjël. Mendoj se kjo i jep njeriut një botëkuptim të ndryshëm. Mendoj se bota tani është më e gatshme të riangazhohet me ne. Në inaugurimin e tij, Presidenti Obama paraqiti një argument me rëndësi kur tha se Amerika duhet t’u shtrijë dorën të tjerëve dhe mendoj se tani ka shumë popuj që dëshirojnë të na shtrijnë dorën."

Zonja MëkHejll tha se fjalimi politik që Presidenti do të mbajë më 4 qershor në Kajro, ku do të bëjë thirrje për pajtim me shtetet myslimane, do të jetë një ngjarje mjaft e rëndësishme për diplomacinë publike amerikane si dhe një përpjekje për t’u shtrirë dorën këtyre vendeve si partnerë.

Zonja MëkHejll, e cila për 20 vjet me radhë ka drejtuar firmën Discovery Communications që përfshin një televizion kabllor, thotë se i ka lindur interesimi për politikën e jashtëme, sidomos për çështjet afrikane, pasi është vajzë e një ish diplomati amerikan në Afrikën e Jugut, kur atje sundonte aparteidi.

Gjatë dy viteve të fundit ajo ka udhëtuar mjaft nëpër Afrikë për të lançuar një fond të specializuar në investimet për kompanitë afrikane. Prandaj ajo nuk e pranon idenë se mungesa e përvojës në politikën e jashtëme tradicionale mund ta pengojë në punën e saj të re.

Zonja MëkHejll, kompania e së cilës ka vepruar në 170 vende të botës, thotë se kyçi që Amerika të arrijë sot popullatat e huaja, sidomos audiencën e të rinjve, është përmes mediumeve të reja, jo vetëm televizionit me kabëll, por komunikimeve me celular apo rrjeteve sociale që ofron interneti.

"Ne duhet të kuptojmë se cilat janë ato gjëra që funksionojnë. Cilat janë gjërat që na ndihmojnë më shumë për t’u lidhur me miliarda njerëz në botë. Kjo nuk mund të bëhet me tjetër mënyrë por duke i përdorur mediumet e reja sipas rrethanave. Kur shikon përbërjen demografike të rajoneve që ne përpiqemi të arrijmë, në shumë raste kemi të bëjmë me popullata ku mosha mesatare është nën 25 ose nën 20 vjeç. Këta të rinj gjithnjë e më shumë po përdorin teknologjitë e reja kudo në botë."

Zonja MëkHejll do të mbikqyrë një buxhet prej 1 miliard dollarësh në formë programesh që ka Departamenti i Shtetit në fushën e komunikimit, si programe kulturore, arsimore apo shkëmbimi.

Ajo ka premtuar se do t’i bëjë një rishikim të plotë diplomacisë publike amerikane por tha se vjen në postin e ri pa paragjykime për ndryshimet e mundëshme strukturore, megjithëse deri tani rekomandimet nuk kanë munguar. //ii

XS
SM
MD
LG