Lidhje

Xhons: Kërcënimet ndaj Amerikës janë të shumta


Këshilltari i Presidentit Obama për sigurimin kombëtar tha se administrata e re po përpiqet të punojë me miqtë e Amerikës kudo në botë në zgjidhjen e problemeve të shekullit të 21, të cilat i vijnë çdo ditë me shumicë në tryezën e punës. Gjenerali në pension Xhejms Xhouns hedh dritë mbi punën që bëhet në Shtëpinë e Bardhë për hartimin e politikave të sigurisë.

Gjenerali Xhouns po e riorganizon stafin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar duke e shkrirë atë me stafin e Këshillit për Sigurimin e Vendit, sepse, siç thotë ai, kemi nevojë për një institucion më të gjerë dhe më efikas për të trajtuar me shpejtësi një numër të madh problemesh që kanë të bëjnë si me sigurinë e brendshme ashtu edhe me atë ndërkombëtare.

"Kam identifikuar disa nga këcënimet e shumta me të cilat përballemi dhe që janë të pandryshueshme. Çdo ditë, ne merremi njëkohësisht me 5-6 çështje serioze. Kërcënimet që vijnë drejt nesh vijnë në formë valësh. Ato janë asimetrike dhe janë të ndryshme nga ato të shekullit të 20."

Ish gjenerali i marinsave thotë se problemet me të cilat ai merret çdo ditë përfshijnë luftën në Irak dhe Afganistan, gjendjen në Pakistan, terrorizmin global dhe programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut. Por ai merret edhe me një sërë çështjesh të tjera po aq serioze të cilat i quan “kërcënime jotradicionale”.

"Nuk është fjala thjesht për një luftë kundër terrorit. Ajo ka elementë që lidhen me përhapjen e armëve, klimën, energjinë, sigurinë ekonomike, sigurinë në internet, trafikun e paligjshëm të njerëzve, narkoterrorizmin dhe të tjera pa fund."

Gjenerali Xhouns thotë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara, sidomos forcat e tyre të armatosura, duhet të jenë të përgatitura për të vazhduar ndihmën humanitare emergjente në vende të ndryshme, në përgjigje të fatkeqësive natyrore ose të atyre që shkaktohen nga njerëzit. Ai thotë se administrata përpiqet të gjejë zgjidhje ndërkombëtare ndaj të gjitha sfidave me të cilat përballet. Ai mendon se qeveritë e huaja janë më të gatshme të punojnë me Presidentin Obama se sa ishin me Presidentin Bush.

"Ne shpresojmë ta angazhojmë botën ndoshta në mënyrë pak më të ndryshme por në një mënyrë që është e parashikueshme, që është qetësuese, që i trajton miqtë dhe aleatët tanë me respektin dhe vemendjen që meritojnë."

Gjenerali Xhouns është kritikuar se nuk ka dalë në publik për të shpjeguar politikat e Presidentit. Komentet që i bëri këto ditë në Këshillin e Atlantikut në Uashington, ishin dalja e tij e parë në publik që nga ardhja në këtë post në muajin janar. Ai la të kuptohet se e ka harxhuar pjesën më të madhe të kohës në prapaskenë për të riorganizuar stafin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për ta bërë atë më të aftë t’u përgjigjet kërcënimeve të sotme.

Vitin e kaluar, Gjenerali Xhouns kryesoi një studim për Këshillin e Atlantikut, në të cilin ai doli me përfundimin se NATO-ja nuk po e fiton luftën në Afghanistan. Në komentet që bëri të mërkurën ai tha se do të duhet një vit për të përcaktuar nëse strategjia e re e Presidentit Obama për Afganistanin dhe Pakistanin do të funksionojë.

Gjenerali Xhouns vuri gjithashtu në pikëpyetje pohimet e bëra nga ish Nënpresidenti Dik Çejni dhe republikanë të tjerë se disa nga politikat e administratës së re e kanë bërë Amerikën më pak të sigurt se sa ishte gjatë Administratës Bush.

Ai tha se Presidenti Obama po shton shpenzimet për mbrojtjen, megjithëse po e zhvendos vemendjen më tepër drejt kërcënimeve të sotme, po u shtrin dorën myslimanëve kudo në botë si dhe po ndërmerr nisma të reja për sigurinë e internetit apo për t’ju kundërvenë një terrorizmi të mundshëm bërthamor.

Gjenerali Xhouns mori gjithashtu në mbrojtje vendimin për mbylljen e qendrës së paraburgimit në Guantanamo, duke thënë se thjesht emri i saj ka mundësi të ketë krijuar më tepër terroristë se sa ndodheshin aty.

Gjenerali Xhouns, i cili ka qenë komandant i korpusit të Marinsave dhe më pas i të gjitha trupave të NATO-s, thotë se pjesa më e vështirë e punës së tij të re është të bëjë dallimin mes kërcënimeve serioze dhe atyre që janë vërtet kritike dhe që kanë nevojë për vemendjen e menjëhershme të Presidentit.

"Më e vështira është që këto çështje t’i trajtojmë në radhën e duhur sipas zhvillimit të ngjarjeve ndërkombëtare, të përcaktojmë ritmin global dhe të gjejmë se ku janë interesat tona kombëtare aty."

Ai tha se ekipi i tij nuk do të arrijë kurrë përsosmërinë por…

"Ne mund të bëjmë gjithçka për të frenuar dhe parandaluar këto kërcënime, që ato të jenë sa më larg brigjeve tona dhe pikërisht për këtë arësye ne jemi të angazhuar ashtu siç jemi në pjesë të ndryshme të botës."

Gjenerali Xhouns thotë gjithashtu se kjo ishte arsyeja që ai u kthye përsëri në një detyrë qeverie plot tension, ndonëse nuk kishte veçse 23 muaj që kishte dalë në pension. //ii

XS
SM
MD
LG