Lidhje

Socialistët shqiptarë hapin zyrtarisht fushatën elektorale


Në Shqipëri, Partia Socialiste hapi mbrëmë fushatën e saj elektorale në një miting të organizuar në Qytetin Studenti. Një zgjedhje simbolike e vendi nga ku nisën protestat për përmbysjen e regjimit komunist, për t’ja përshtatur mesazhit të kryetarit socialist Edi Rama se synimi i së majtës të drejtuar prej tij është të hapë një epokë të re.

Në fjalën e tij zoti Rama tregoi arsyet se përse ai kërkon të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit dhe shpalosi disa nga pikat kryesore të programit elektoral.

Një këngë e grupit të njohur muzikor shqiptar West Side Family, në videoklipin e të cilit shfaqet edhe kryetari socialist Edi Rama, do të jetë sigla elektorale e Partisë Socialiste në fushatën e saj për zgjedhjet e 28 qershorit. Një fushatë e përqëndruar fort në figurën e vetë zotit Rama.

Pamjet e videoklipit ku kryetari socialist shfaqet në thellësitë e minierave, duke mbajtur arkat e peshqëve në një peshkarexhë apo duke punuar në një arë, si dhe teksti i këngës i cili me thirrjen e përsëritur "Çohu" i drejtohet cdo shqiptari që të marrë vetë në dorë fatet e vendit, janë në fakt thelbi i synimit të fushatës për këto zgjedhje dhe mesazhet në të cilat është përqëndruar ajo.

Fushata zyrtarisht u hap mbrëmë, ndërsa kryetari socialist në një fjalim 30 minutash shpjegoi arsyet se përse kërkon të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit:

"Unë nuk jam në krye të Partisë Socialiste që të vendos emrin tim të parin në listën e deputetëve, por që të marr përsipër detyrën më të vështirë dhe ta bëj atë siç nuk e ka bërë askush deri më sot. Unë nuk do të jem kryeministri i një oborri familjar siç është Sali Berisha, por kryeministri i njerëzve që kanë nevojë prej 18 vjetësh për një shtet në shërbim të tyre".


Kryetari socialist Edi Rama, përkundrejt kritikave edhe të vëzhguesve të shtypit se nuk po sulmon fort qeverinë dhe ato që janë cilësuar shpesh në media si skandale, prej kohësh këmbëngul fort se politika shqiptare duhet t’i largohet frymës së urrejtjes, fjalorit të ashpër të sulmeve dhe fyerjeve:

"Kujt thotë se kjo betejë mes të ardhmes e së shkuarës fitohet vetëm me mjetet e së shkuarës prandaj duhet të nxjerrim dhëmbët e të ngremë zërin në kupë të qiellit për ta mposhtur kundërshtarin sepse shqiptarët shkojnë pas më të fortit, unë i përgjigjem jo, sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa të njëjtën luftë të vjetër gjelash që kacafyten me njëri-tjetrin".

Në fakt në shumë pak momente kryetari socialist foli për kundërshtarin e vet politik, Kryeministin Sali Berisha:

"Për Sali Berishën qëllimi i vetëm është pushteti i tij, politika është një tregëti gënjeshtrash dhe kontrata me qytetarët është një tallje cinike sa shpërthimi i Gërdecit".

Dhe ndërsa në këtë moment një simpatizant socialist i ndodhur në radhën e parë të pjesmarrësve në miting, lëshoi thirje kundrë kryeministrit, zoti Rama ndërhyri:

"Miku im, ne nuk kemi ardhur këtu për të thirrur “Poshtë Sali Berisha", por të ngremë lart njëri-tjetrin për të ngritur lart Shqipërinë”.

Zoti Rama trajtoi pikat kryesore të programit elektoral duke zbuluar edhe detaje të reja të tij.

Programi përqëndrohet fort në temën e fshatit, zhvillimin e bujqësisë dhe nxitjen e prodhimit vendas, në shëndetësi për sptale të mbajtura nga shteti e që të ofrojnë shërbime për të gjithë, në arsim, për të forcuar rolin e shkollës por edhe të institucioneve private shkollore për të cilat paralajmëroi megjthatë se do duhet të kalojnë në filtrin e akreditimeve për të testuar nivelin e mësimdhënies.

Çështje të tjera janë mjedisi, rigjallërimi i pyjeve dhe pastrimi i qyteteve nga mbeturinat dhe plehrat si dhe forcimi i shtetit ligjor, përmes ristrukturimit të policisë. //ii

XS
SM
MD
LG