Lidhje

Kristofer Dell, i emëruar si ambasador i SHBA në Kosovë


Presidenti Obama ka propozuar diplomatin Kristofer Uilliam Dell për postin e ambasadorit amerikan në Kosovë. Njoftimi u bë në kuadër të disa emërimeve të rëndësishme të presidentit për poste kyçe në administratë.

Zoti Dell ka një karrierë të gjatë si diplomat, gjatë së cilës ka qenë edhe si shef i zyrës amerikane në Prishtinë nga viti 2000-2001. Kristofer Dell, diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm që nga viti 1983, ka shërbyer si Zëvendës Shef i Misionit amerikan në Afganistan që nga viti 2007. Ai ka qenë më parë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Zimbabvesë që nga gushti 2004 deri në korrik 2007. Më parë zoti Dell ka qenë ambasador në Angolë nga viti 2001-2004.

Para misionit në Kosovë, ai ka qenë zëvendës shef i misionit amerikan në Bullgari që nga viti 1997 -2000. Në karrierën e tij të gjatë diplomatike ai ka punuar edhe në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Kanadeze në postin e zëvendës-drejtorit nga viti 1994-1996 si dhe ka mbajtur postin e Ndihmësit të Nënsekretarit për Çështje Ndërkombëtare nga viti 1989-1991.

Zoti Kristofer Dell është diplomuar në Shkencat Shoqërore në Universitetin Columbia si dhe ka një gradë shkencore nga Universiteti Oxford.


XS
SM
MD
LG