Lidhje

Kërkohen përkthyes të gjuhëve dari dhe pashto për në Afganistan


Presidenti Obama po përgatitet për të shtuar numrin e trupave amerikane në Afganistan me rreth 21 mijë trupa shtesë si dhe qindra specialistë civilë në shumë fusha si nga bujqësia e deri tek çështjet e zbulimit. Ashtu si dhe shtimi i trupave në Irak, ky proçes në Afganistan do të kërkojë më shumë linguistë të gjuhëve të folura në Afganistan. Dhe, pikërisht ky proçes do të shtojë konkurencën mes agjencive të ndryshme qeveritare në gjetjen e personave të kualifikuar për këtë punë.

Çdokush i kupton mirë problemet që sjellin barrierat gjuhësore. Por në gjendje lufte, këto barriera mund jenë vendimtare për jetën. Ndërsa administrata e zotit Obama ka nisur shtimin e trupave amerikane në Afganistan, agjenci si CIA, Ushtria dhe Departamenti i Shtetit po kërkojnë anembanë vendit përkthyes të gjuhëve dari dhe pashto, gjuhët kryesore atje. Ron Senders punon si Shef i Personelit për të gjitha agjencitë amerikane të zbulimit.

"Kjo situatë ka shtuar kërkesën për përkthyes të këtyre gjuhëve, ka shumë kërkesë por jo shumë ofertë në treg”.

Kërkesa për më shumë linguistë në gjuhët arabe, dari, pashto, urdu dhe kurde u shtua pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit dhe pas luftës në Irak. Por t’i mësosh dikujt gjuhë të vështira si dari dhe pashto mund të marrë më shumë se një vit. Dhe administrata e zotit Obama nuk ka shumë kohë në dorë.

Në këtë situatë, agjencitë qeveritare u kanë kërkuar ndihmë rajoneve etnike në Amerikë për të gjetur njerëz që i konsiderojnë këto gjuhë amtare. Zoti Erol Smith, përgjegjës për rekrutimin e linguistëve në ushtrinë amerikane, thotë se këta njerëz preferohen më shumë sesa ata që e kanë mësuar gjuhën.

"Një linguist me gjuhë amtare, ka mundësi të shkojë në një mbledhje duke shoqëruar komandantin e tij dhe ai mund të kuptojë shumë vetëm duke vënë re nuancat kulturore, gjuhën joverbale, veshjet dhe mund të vendosë nëse ky është një vend i sigurt për komandantin e tij apo jo dhe nëse do të duhej të tërheqë njësitin e tij nga ajo zonë apo të qëndrojë më gjatë për negociata”.

Nga ana e saj ushtria ka një mundësi më shumë sesa agjencitë e tjera qeveritare, pasi ajo mund t’u ofrojë ushtarëve të rinj marrjen në mënyrë të përshpejtuar të nënshtetësisë amerikane.

Rreshterja X, person që e ka gjuhë amtare gjuhën arabe, dhe të cilës nuk di përmendet emri për arsye sigurie, u fut në ushtri përmes komunitetit të Nju Jorkut për të punuar si përkthyes dhe për të shërbyer në Irak. Ajo jo vetëm që përktheu por edhe e këshilloi komandnatin e saj mbi çështje delikate kulturore si përshembull mënyra negativesesi njerëzit e besimit mysliman i shohin qentë.

"Patëm një përvojë ku mund të shihnim se njerëzit nuk na donin në zonën e tyre. Ndaj dhe komandanti ynë u takua me sheikun e zonës i cili na sqaroi se vendasit nuk donin që ne të zhvillonim kontrolle me qentënë një moment kur ne po i përdornim qentë për kontroll në çdo shtëpi”.

Rreshterja bëri betimin si shtetase amerikane në 4 korrik, 2007. Agjencia të tjera si CIA kanë një tjetër problem. Në mënyrë që dikush të punojë në botën e zbulimit, brenda apo jashtë vendit, duhet që ai jo vetëm të jetë shtetas amerikan por edhe të kalojë me sukses një kontroll të rreptë sigurie.

Po kështu Ron Senders nga Zyra e Drejtorisë së Zbulimit Kombëtar thotë se shumë njerëz që flasin gjuhë si dari, pashto apo atë arabe vijnë nga vende ku ekziston një frikë e përgjithshme nga agjencitë e zbulimit.

Informacioni sesa linguistë nevojiten për në Afganistan mbahet sekret. Por zyrtarëve në Shtetet e Bashkuara ka gjasa t’u duhet të punësojnë kontraktorë vendas për të përmbushur nevojën e madhe për folës të gjuhëve vendase. //iç//

XS
SM
MD
LG