Lidhje

Shqipëri: Kryetari i KQZ bën thirrje për proces të rregullt zgjedhor


Në Shqipëri kryetari i Komisionit qendror te zgjedhjeve Arben Ristani deklaroi se uron qe gara e 28 qershorit të mund të sigurojë për vendin një proces të regullt e të ndershëm. Ai i bëri këto komente me rastin e hapjes zyrtare të fushatës elektorale. Por ndërsa tonet në aktivitetet e forcave politike nuk janë fort të ashpra, debati për letërnjoftimet vazhdon të mbetet i nxehtë dhe me shenja të larta mosbesim të opozitës ndaj këtij proces.

Sipas kodit zgjedhor, sot zyrtarisht konsiderohet e hapur fushata elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, pavarësisht se në fakt ajo ka nisur shumë më herët. Megjithatë kryetari i Komisionit qëndror të zgjedhjeve Arben Ristani përfitoi nga ky moment që të uronte zhvillimin e një fushate të qetë në mënyrë që procesi të linte pas eksperiencat e së kaluarës:

"Presim përfundimisht që nëpërmjet këtyre zgjedhjeve ti japim fund periudhës së tranzicionit dhe ti hapim rrugë zhvillimit të vendit tonë për më tutje. Ne si Komision kemi marrë të gjitha masat që këto zgjedhje të jenë brenda standarteve dhe përfundimisht në raportet e vëzhguesve vendas apo ndërkombëtar të mos ketë më shprehje si “hap prapa” apo “shans i humbur”, por zgjedhje brenda standarteve bashkëkohore të kërkuara nga të gjithë”.

Socialistët e paraprinë me disa orë ceremoninë kryesore të fushatës duke e zhvilluar atë mbrëmë në qytetin studenti. Një fushatë e përqëndruar fort të figura e kryetarit socialist Edi Rama, protagonist edhe i një kënge dhe videoklipit të saj, që do të jetë edhe kolona zanore e fushatës së partisë më të madhe të opozitës.

Edhe në krahun tjetër, partia më e madhe e së djathtës gjithashtu ka vënë në qendër të saj emrin dhe imazhin e kryeministrit Sali Berisha. Demokratët do të organizojnë ceremoninë e madhe të fillimfushatës në sheshin Skënderbej të hënën e ardhshme.

Tonet e fushatës deri tani duken të përmbajtura, krahasuar me retorikën e zgjedhjeve të mëparshme. Por kjo klimë duket se po rrezikon të infektohet seriozisht nga debati për letërnjoftimet e reja. Socialistët janë në pozitat e nje mosbesimi të madh dhe me dyshime se procesi sipas tyre po manipulohet. Sekretari për cështjet zgjedhore në partinë socialiste kastriot Islami i dërgoi një tjetër letër dje ministrisë së brendshme ku përsëriste kërkesën për të patur listat me emrat e personave pa pasaportë që kanë aplikuar por edhe të atyre që e kanë marrë tashme letërnjoftimin, si dhe emrat e atyre që kanë pasaportë.

Zoti Islami e ka cilësuar sërish arbitrar njoftimin e ministrisë se sipas saj 160 deri 260 mijë votues nga kategoria e atyre pa pasaportë mund te jën jashtë vendit. Ai ka akuzuar ministrisë se të dhënat e ofruara deri tani janë të pasakta dhe kontradiktore. Sipas socialistëve gjendja paraqitet kritike dhe me rrezikun, sipas tyre, për të lënë pa dokument identifikimi një numë shumë të lartë votuesisht.

Por ministri i Brendshëm Bujar Nishani tha sot se marrëveshja e arritur dje me përfaqësuesit e kompanisë që prodhon letërnjoftimet për të pezulluar aplikimet për të gjithë ata që kanë një dokument tjetër, krijon të gjitha kushtet për të pajisur me letërnjoftim ata që nuk zotërojnë pasaportë:

"Nëse i referohemi totalit të atyre që kanë aplikuar deri tani, kjo shifër e kalon numrin 450 mijë qyetarë pa pasaportë që kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik. Me rregullin e ri që kemi vendosur me koncesionarin dhe duke ju referuar kapaciteteve reale që kemi në terren dhe duke patur parasysh periudhën deri në mesin e muajit qershor është tërësisht e mundshme që të pajisen dhe 400 mijë shtetas të tjerë, natyrisht me kushtin që ata të jenë në Shqipëri dhe të paraqiten pranë zyrave të aplikimit".

Ministri Nishani bëri vetëm një deklaratë dhe nuk lëshoi asnjë koment mbi pretendimet e ngritura nga opozita dhe kërkesat e saj. //iç//

XS
SM
MD
LG