Lidhje

Suzën Bojl humbet në finalen e konkursit "Britania ka talent"


Skocezja 48-vjeçare Suzën Bojl, e cila me zërin e saj u bë papritur e njohur në të gjithë botën, humbi në finalen e konkursit televiziv "Britania ka talent".

Bojl, e cila jeton e vetme me macen e saj, fitoi famë muajin e kaluar, kur imazhet me këngën e kënduar prej saj arritën të bëhen një ndër klipet më të shikuara në historinë e sitit të videoklipeve YouTube.

Fillimisht njerëzit u habitën nga dëshira e zonjës Bojl për të konkuruar në garën televizive për shkak të pamjes së saj të jashtme mjaft të shkujdesur që ishte në kontrast të madh me stilin e shumë konkurrentëve të tjerë. Por nuk kaloi shumë dhe zëri i saj i bëri për vete të gjithë.

Të shtunën, Bojl hyri në finalen e konkursit si një ndër favoritet për të fituar por zuri vendin e dytë pas një trupe kërcimi të quajtur “Diversity”. Grupi fitues u shpërblye me 160,000 dollarë si dhe me mundësinë për të interpretuar përpara Mbretëreshës Elizabet.

Në finale, Bojl këndoi pjesën “I Dreamed a Dream”, të njëjtën këngë që i dha asaj famën e fillimit.

XS
SM
MD
LG