Lidhje

Gejts: SHBA nuk do të pranojnë një Kore Veriore bërthamore


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë një Kore Veriore të armatosur me armë bërthamore.

Gjatë takimit që pati sot në Singapor me ministra aziatikë të mbrojtjes, zoti Gejts tha se sanksionet me pasoja kundër Penianit mund të jenë mënyra e vetme paqësore që t’i jepet fund programi bërthamor.

Ai tha se Uashingtoni nuk do të rrijë duarkryq ndërkohë që Koreja e Veriut shton aftësitë e saj për të sjellë shkatërrim ndaj ndonjë objektivi në Azi ose në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Gejts po kështu tha se Shtetet e Bashkuara dhe aletatët janë ende të hapur të flasin me Korenë e Veriut, por nuk do të lejojnë provokimet e këtij vendi.

Ndërkohë një zyrtar i lartë ushtarak kinez bëri thirrje për qetësi. Gjatë një konference të zhvilluar dje zyrtari kinez u tha të pranishmëve se gadishulli korean duhet të shkojë drejt çarmatimit bërthamor.

Nga ana tjetër Moska tha se presidenti rus Dmitri Medvedev dhe kryeministri japonez Taro Aso mbështesin nevojën për një përgjigje të fuqishme kundër provave të fundit bërthamore të Koresë së Veriut.

Një deklaratë e Kremlinit thotë se dy udhëheqësit folën sot me telefon dhe ranë dakord për të punuar së bashku në lidhje me masat që do të hartohen në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ditën e djeshme Koreja e Veriut bëri një tjetër provë me raketë me rreze të shkurtër veprimi në brigjet e saj lindore dhe kërcënoi se do të kundërpërgjigjet nëse Kombet e Bashkuara vendosin sanksione për provën e saj të re bërthamore. //ek

XS
SM
MD
LG