Lidhje

Program kompjuterik për kontrollin e të huajve që largohen nga SHBA


Administrata e zoti Obama po nis një program pilot për mbledhjen e informacioneve biometrike nga shtetasit jo-amerikanë të cilët largohen nga Shtetet e Bashkuara.Sistemi i ri nisi të testohet në dy aeroporte të mëdha të vendit. Kjo nismë është përpjekja më e fundit pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001 e cila ka për qëllim të kontrollojë më mirë hyrje-daljet e të huajve në aeroportet amerikane.

Shenjat e gishtërinjëve dhe shenja të tjera identifikuese fizike të quajtura të dhëna biometrike shihen si një mënyrë e saktë për të verifikuar identitetin e dikujt dhe për të kapur shkelësit e ligjit.Që prej vitit 2004, autoritetet amerikane mbledhin të dhënat biometrike nga vizitorët e huaj në hyrje por jo në dalje të kufijve amerikanë. Por kjo gjë do të ndryshojë së shpejti. Zoti Robert Mokni punon si drejtor i programit amerikan të vizitorëve.

"Në duam të kemi procedura biometrike për të huajt që largohen nga vendi pasi duam të kuptojmë më mirë se kush ndodhet në Amerikë dhe kush është larguar nga vendi”.

Sistemi i ri po testohet në aeroportet e Atlantës dhe Detroitit. Shtetasve jo-amerikanë që largohen nga Amerika do t’u kërkohet të japin shenjat e gishtërinjve që do të krahasohen me të dhënat biometrike të marra gjatë aplikimit për vizë amerikane ose për qëndrim të përhershëm në Amerikë.

Qeveria amerikane ka për qëllim të zgjerojë programin në fjalë në të gjitha aeroportet dhe portet detare amerikane vitin e ardhshëm. Komisioni i 11 Shtatorit, i cili hetoi sulmet terroriste të 11 Shtatorit kundër Amerikës i rekomandoi qeverisë të ruante lista të sakta të individëve që hynin dhe largoheshin nga Amerika.

"Kur lëshohet një vizë, ajo mban të dhënat biometrike të personit që e merr atë, ndaj dhe ajo pasaportë dhe vizë nuk mund të përdoren nga dikush tjetër. Ka dhjetëra miliona pasaporta të vjedhura ose të humbura që ndodhen në tregun e zi dhe përdoren nga kriminelë dhe terroristë ndërkombëtarë. Ky lloj verifikimi biometrik do t’i japë fund diçkaje të tillë”.

Zoti Mokni thotë se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të zgjerojnë programin e ri verifikues në kufijtë amerikanë me Kanadanë dhe Meksikën. Nuk është e qartë se kur do të ndodhë diçka e tillë, pasi zyrtarët amerikanë pranojnë se para se të ndodhë kjo duhen tejkaluar një sërë problemesh logjistike për të kontrolluar trafikun e makinave. //iç//

XS
SM
MD
LG