Lidhje

"General Motors" pritet të kërkojë mbrojtje nga falimentimi


Kjo ka qënë një javë shumë e ngarkuar për industrinë e ndërtimit të makinave këtu në Shtetet e Bashkuara, pasi General Motors po përgatitet të paraqesë dokumentacionin për t’u mbrojtur nga falimentimi, ashtu siç bëri edhe Chrysler-i. Burimet e brendëshme të industrisë thonë se kjo mund të bëhet edhe ditën e hënë.Analistët nga ana e tyre thonë se eventualisht procesi do të përcaktojë të ardhmen e industrisë amerikane të automjeteve.

General Motors, dikur prodhuesi më i madh i makinave në botë, është tani një hap më pranë kërkesës për mbrojtje nga falimentimi, pasi sindikata e punëtorëve ra dakord me koncesionet e mëdha që i bëri kompania. Presidenti i sindikatës lokale, J.F. Flores, thotë se marrëveshja e arritur të premten përmban ngrirjen e pagave dhe ndalimin e grevave të punëtorëve deri në vitin 2015.

"Askush, në asnjë punë nuk do të ishte i kënaqur të hiqte dorë nga përfitime për të cilat ka punuar për vite me radhë.Por tani është mëse e qartë se përparësia kryesore është mbijetesa e General Motors-it".

Letrat me vlerë përbëjnë një debi prej 27 miliardë dollarësh dhe mbajtësit e tyre e kuptojnë se duhet të bëjnë sakrifica, në mënyrë që kompania të dalë nga kjo gjendje më e fortë. Ata kanë afat deri sot në mbrëmje të pranojnë një shpërblim që do t’u jepte atyre 25 përqind pronësi në General Motors-in e riorganizuar. Pa një marrëveshje, thotë profesori i ligjit, Lynn Polucki, disa kreditorë do të humbisnin gjithçka.

"Ata po kërkojnë mbështetjen e këtyre kreditorëve dhe praktikisht po u thonë atyre se do të kenë përfitime nëse bien dakord, në të kundërtën nuk do të marrin asgjë”.

Në Nju Jork, procesura për mbrojtjen e Chrysler-it nga falimentimi është vazhdim. Ekspertët e industrisë thonë se gjykatësi Artur Gonzalez ka të ngjarë të miratojë bashkimin e Chrysler-it me Fiatin italian. Analisti i agjencisë së lajmeve Associated Press, Bree Fowler, thotë se kjo mund të ndodhë pari fati i Chrysler-it varet në partneritetin me një kompani evropiane makinash.

"Ky është shansi i fundit i kompanisë për të mbijetuar. Askush tjetër nuk i është aftuar Chrysler-it, veç Fiatit. Në qoftë se bashkimi i dy kompanive nuk miratohet, kjo do të shënonte definitivisht një pikë kthese për Chrysler-in”.

Kthesa për General Motors-in do të vinte ndoshta që të hënën, kur kompania të kërkojë mbrojtje nga falimentimi. Në bazë të planit të tij të ristrukturimit, General Motors do t’i kërkojë qeverisë amerikane edhe 30 miliardë dollatë të tjera veç 19 miliardë dollarëve që ka marrë. Kompania ka gjithashtu në plan të mbyllë 14 uzina dhe të shkurtojë 21 mijë vende pune. //iç//

XS
SM
MD
LG