Lidhje

Egjipti pret me interesim vizitën dhe mesazhin e presidentit Obama


Presidenti amerikan Barak Obama do të udhëtojë për në Egjipt ditët e ardhshme. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti do t’i drejtohet botës myslimane përmes një fjalimi. Në raportin në vijim nga Kajro do të shohim pse Kajro shihet si një vend i përshtatshëm dhe çfarë mesazhi shpresojnë njerëzit të dëgjojnë gjatë vizitës.

Metropoli i Egjiptit, Kajro, me një popullatë prej 16 milionë banorësh, është vendi i Faraonit dhe djepi i civilizimit. Egjipti mbetet edhe sot zemra e botës arabe. Nga Kajro, zoti Obama do të flasë para myslimanëve në të gjithë botën. Kjo grua beson se zoti Obama ka bërë zgjedhjen e duhur.

"Ne mirëpresim të gjithë ata që vijnë në Egjipt. Egjipti është babai i të gjithë botës dhe ne jemi shumë të lumtur për vizitën e zotit Obama”.

"Ky burrë thotë se Egjipti është vendi ku ndodhet qendra al Azhar një nga qendrat më të mëdha ku mësohet islamizmi për besimtarët suni. Ne e mirëpresim atë. Zoti Obama duhet ta shohë Egjiptin si shtëpinë e tij”,
thotë ai.

Egjipti dukej si zgjedhja e duhur për vizitën e zotit Obama. Sociologu politik Said Sadek nga universiteti Amerikan në Kajro flet për historinë e kohëve të fundit të këtij vendi në lidhje me Shtetet e Bashkuara.

"Egjipti ka qënë gjithnjë aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, pasi ai ka ndjekur gjithnjë politika të moderuara, ka punuar për paqen me Izraelin, ka një vend shumë strategjik për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez si dhe në dobësimin e ndikimit të Iranit si hegjemoni në këtë rajon”.

Dhe për këtë ka një arsye strategjike.

"Problemi i vërtetë qëndron me botën islamike arabe, jo me islamikët e Azisë apo islamikët e tjerë nëpër botë”.

Zoti Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk ndodhen në luftë me fenë islame. Gjatë udhëtimi në Turqi, Presidenti tha se dëshiron të flasë me myslimanët e botës. Ndryshimi do të ishte shumë i mirëpritur këtu por njerëzit duan detaje, thotë zoti Sadek.

"Së pari është çështja palestineze, mbështetja e pakufishme e qeverive amerikane për politikat ekspansioniste izraelite dhe jo për mbijetesën e Izraelit. Ndaj, çdo lloj detaji në lidhje me këtë çështje do të vlerësohej shumë nga bota islamike. Diçka e tillë do të neutralizonte qëndrimet anti-amerikane si dhe do të çarmatoste revolucionarët dhe grupet islamike radikale në rajon”.

Por Mohamed Mahdi Akef është skeptik për këtë. Ai drejton grupin më të madh opozitar, Vëllazëria Myslimane.

"Ne e mirëpresim zotin Obama dhe këdo që na viziton por, thellë thellë, e ndjej se Presidenti Obama ka trashëguar një situatë të vështirë nga paraardhësit e tij”.

“Vrasjet dhe zhvendosjet e myslimanëve në Irak, Afganistan dhe Palestinë si dhe mbështetja e Uashingtonit për Izraelin janë pjesë e kësaj situate”,
thotë ai.

Zoti Akef thotë se ai dëshiron që, për momentin, të dëgjojë mesazin e Presidentit.

"Siç thotë ai, bota arabe dhe myslimane presin që zoti Obama të kundërshtojë padrejtësinë, shtypjen, dikaturën, korrupsionin dhe tiraninë nëpër botë”.


Por, sociologu Sadek thotë se bota myslimane nuk kërkon vetëm fjalë të bukura nga zoti Obama qoftë kjo për luftën në Afganistan, konfliktin izraelito-palestinez apo mbështetjen historike të Uashingtonit për udhëheqësit autokratë.

"Zoti Obama duhet të sjellë një program të qëndrueshëm me afate të mirëvendosura. Diçka e tillë do t’i jepte një mesazh të fortë të gjithë botës islamike”.

Politika amerikane shihet me dyshim në një pjesë të madhe të botës myslimane, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Mesazhi i ditëve në vazhdim i zotit Obama do të dëgjohet me kujdes, por veprimet e ardhshme të zotit Obama do të shihen edhe me më shumë interes. //ek

XS
SM
MD
LG