Lidhje

Shqipëri: Inaugurohet tuneli i Kalimashit, pjesë e rrugës së re


Kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaci u takuan në mesin e tunelit të Kalimashit, pas rrëzimit edhe të pengesës së fundit që shënoi bashkimin e të dy anëve të tij. Kryeministri Sali Berisha hipi vetë dhe drejtoi makinerinë e rëndë që çau murin ndarës të mbetur. Delegacioni nga Kosova priste në anën tjetër.

Të dy kryeministrat udhëtuan më pas së bashku në dalje nga tuneli ku jashtë prisnin qytetarë të shumtë nga Shqipëria dhe Kosova. Një ceremoni ku krahas flamujve kombëtar të të dy vendeve, nuk mungonin ngjyrat elektorale, sfondi me kolonën zanore të fushatës së partisë demokratike dhe flamujt e kësaj partie

Hapja e plotë e tunelit, me tepër se sa një rëndësi nga pikëpamja thjesht e infrastrukturës apo ajo inxhinjerike, mbart në të vërtetë një domëthënie mjaft më të madhe, atë domethënie së cilës i mëshoi edhe kryeministri Sali Berisha:

"Ky tunel është para së gjithash tuneli i bashkimit të kombit. Sot ne vendosëm se nuk ka male, se nuk ka pengesa, se nuk ka asgjë që mund të ndajë jo vetëm shpirtërisht por as fizikisht këtë komb” - tha ai

Edhe një pankartë e madhe ne hyrje të tunelit por edhe pllakat që ngritën më pas të dy kryeministrat me mbishkrimin Tiranë-Prishtinë përfaqësonin simbolikisht edhe peshën kombëtare që bart rruga.

Ajo është një portë e rëndësishme ekonomike për Kosovën. Rruga vërtet afron dy vendet, por njëkohësisht i krijon Prishtinës një dalje të shpejtë në det, me ndikim në zhvillimin e shkëmbimeve tregtare.

Kryeministri Hashim Thaçi premtoi nisjen shumë shpejt të punimeve edhe në territorin e Kosovës:

"Si kryeministër i Kosovës zotohem se për një kohë shumë të shkurtër kjo rrugë do të vazhdojë tutje, Vërmicë, Prizren për në kryeqyetin e Kosovës Prishtinë”.

Zoti Thaçi gjithashtu vlerësoi rëndësinë e madhe të kësaj rruge:

"Pavarësia e Kosovës i jep kësaj rruge dimensionin e plotë të afrimit. Eshtë vetë kuptimi i autostradës. Eshtë dalja e Kosovës në det. Ne kemi qenë të ndarë në shekuj, por s’kemi qenë larg, kemi sakrifikuar për t’u afruar. Erdhi dita. Kosova e pavarur, Shqipëria në Nato e tani ndërtojmë autostrada. Prandaj kjo është autostrada e shpresës, e besimit e punës dhe zhvillimit të shqiptarëve. Eshtë historia jonë”.

Ndërtimi i rrugës ka nisur këtu e dy vjet më parë. Projekti Rrëshen-Kalimash u shoqërua me debate të forta politike si dhe ju nënshtrua procedurave hetimore për shkak të dyshimeve për abuzime financiare duke qenë se kostoja e saj mund të shkojë deri në më shumë se 1 miliard euro.

Socialistët edhe sot akuzuan qeverinë për shpenzime disa qindra milion eurosh për këtë rrugë që sipas tyre janë të pajustifikueshme. Por kryeministri Berisha përsëriti se asnjë kosto nuk mund të jetë më e lartë se rëndësia dhe përfitimet që sjell kjo rrugë:

"Tuneli është një vepër e kushtueshme, por duhet të theksoj se për një komb dhe njerëz kohëhumbur që jemi ne, çmimi i kohës është çmimi i të gjitha çmimeve prandaj ai kushton shumë më pak se koha e kalimit të kalimtarëve në një vit të vetëm. Çmimi i tij është dhjetra e qindra herë më i vogël se vlera e tij morale, se bashkimi që sjell mes njerëzve dhe se shërbimi që u bën atyre”. - tha kryeministri i Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha pritet të rikthehet në këtë tunel, në fund të muajit qershor, pak ditë përpara zgjedhjeve për të inauguruar hapjen e qarkullimit të automjeteve të para, ndonëse e gjithë rruga do të dojë edhe muaj të tjerë që të jetë funksionale. //mm//

XS
SM
MD
LG