Lidhje

Seuli: ASEAN-i t'i kërkojë Phenianit të heqë dorë nga armët bërthamore

  • Kris Simkins

Presidenti i Koresë së Jugut, Li Miung Bak, dhe udhëheqësit e vendeve të Shoqatës të Azisë Juglindore i kanë bërë thirrje Koresë së Veriut të heqë dorë nga ambicjet e saj bërthamore dhe të respektojë sanksionet e Kombeve të Bashkuara.

Zyra e Presidentit Li tha sot se pjesëmarrësit në takimin e nivelit të lartë, që u hap sot në Korenë e Jugut, e quajtën provën bërthamore të 25 majit si "provokim" që "cënon seriozisht paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në botë.

Udhëheqësit e Koresë së Jugut dhe të ASEAN-it filluan një takim dy ditor të nivelit të lartë sot në Korenë e Jugut për të festuar partneritetin e tyre 20 vjeçar dhe për të shtuar bashkëpunimin shumëpalësh në kushtet ekrizës së tanishme financiare botërore. Por prova bërthamore që kreu Koreja e Veriut muajin e kaluar dhe provat e raketave me rreze të shkurtër, e bënë këtë një nga çështjet më me parësi të rendit të tyre të ditës.

Media e Koresë së Jugut citoi sot zyrtarë, por pa i identifikuar ata, të cilët kanë thënë se Koreja e Veriut ka çuar raketën më të avancuar të saj me rreze të gjatë veprimi në poligon në bigjet e saj perëndimore dhe mund bëjë provë me të këtë muaj.

Një delegacion i qeverisë amerikane ndodhet në Tokio për të filluar një seri bisedimesh në të gjithë Azinë mbi mënyrën se si duhet reaguar ndaj provës së re bërthamore të Koresë së Veriut.

Nënsekretari amerikan i Shtetit Xhejms Stajnberg kryeson delegacionin i cili arriti në Japoni dje. Me të arritur, zoti Stajnberg u tha gazetarëve se pret bisedime "të frytshme dhe intensive".

Në delegacion bëjnë pjesë edhe Stjuart Livi, Nënsekretar i Departamentit të Thesarit për Terrorizëm dhe Çështje të Zbulimit Financiar dhe Stivën Bosuërth i dërguar special për politikat e Koresë së Veriut.

Pas Japonisë delegacioni do të shkojë në Korenë e Jugut, Kinë dhe Rusi. Të gjitha këto vende janë pjesë e bisedimeve për dhënien fund të programit bërthamor të Penianit.

Sonte, zoti Stajnberg do të takohet me ministrin e Jashtëm të Japonisë Hirofumi Nakasone.


Koreja e Veriut kërcënon me luftë Korenë e Jugut

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jung-II dhe komandantët e lartë ushtarakë kanë lënë të kuptohet se çdo tentativë e Koresë së Jugut për të kontrolluar anijet e tyre do të ishte e barabartë me një deklaratë lufte.


Media shtetërore e Phenianit trasmetoi paralajmërimin se "ata që provokojnë Korenë e Veriut nuk do të jenë në gjendje t'i shpëtojnë ndëshkimit të saj të paimagjinueshëm". Kjo deklaratë bëhet ndërkohë që shtohen tesionet për shkak të programit bërthamor të Koresë së Veriut.

"Mendoj se prirja e Koresë së Veriut për të zotëruar armë bërthamore do t'i shtynte Japoninë dhe Korenë e Jugut, e ndoshta edhe Tajvanin të përpiqeshin për armë bërthamore", - thotë gjenerali amerikan në pensionTomas Macinërni.

Paralajmërimi i Phenianit pason njoftimin e Koresë së Jugut se do t'u bashkohet Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për të kapur anijet që dyshohen se transportojnë armë të shkatërimit në masë. Disa ditë më parë, qeveria e Kim Jong- Ilit bëri një provë të nëndheshme bërthamore, e dyta në tri vjet, të cilën komuniteti ndërkombëtar e dënoi. Më tej, zyrtarët ushtarakë të Koresë së Jugut konfirmuan pesë prova raketash me reze të shkurtër të kryera nga Koreja e Veriut në dy ditë. Kjo e fundit i ka paralajmëruar vendet e tjera të qendrojnë larg brigjeve të saj.

Avionë amerikanë dhe britanikë vëzhgimi, të pajisur me dedektorë radiaktiviteti, janë të vendosur në një bazë ushtarake amerikane në rajon. Një satelit amerikan zbulimi ka diktuar se Pheniani ka rifilluar veprimtarinë në një objekt armësh bërthamore.

Koreja e Veriut filloi çmontimin e uzinës bërthamore të Jongbjongut në vitin 2007, ashtu siç kishte rënë dakord. Por qeveria deklaroi muajin e kaluar se do ta rihapte atë, pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e dënoi vendin komunist për një provë rakete me rreze të gjatë veprimi.

Në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit vazhdon punën për një rezolutë me sanksione të reja më të rrepta ndaj Koresë së Veriut. Majkëll Grin, analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington thotë se rezoluta e re e Kombeve të Bashkuara duhet të ketë shumë komponentë.

"Ajo duhet të vihet në zbatim në bashkëpunim me aleatët tanë dhe duhet të parashikojë sanksione më të forta ndaj Koresë së Veriut, përfshirë trasferimin e parave të tyre, transportet për në Korenë e Veriut, në mënyrë që të bëhet më e vështirë për të të zhvillojë armë bërthamore dhe për të siguruar para për Kim Jong Ilin dhe shërbëtorët e tij", - thotë zoti Grin.

Disa analistë thonë se megjithë sanksionet e reja kundër qeverisë së Kim Jong Ilit, Shtetet e Bashkuara së bashku me Japoninë, Korenë e Jugut, Rusinë dhe Kinën mund të mos kenë ndonjë zgjedhje tjetër veç rifillimit të bisedimeve me Korenë e Veriut, me qëllim që Pheniani t'i japë fund programit të tij të armëve bërthamore.//lk

XS
SM
MD
LG