Lidhje

Dita e Fëmijëve në Kosovë


Kushtet e rënda ekonomike e sociale me të cilat përballet Kosova thuhet të jenë ndër faktorët kryesor që ndikojnë edhe në shkallën e respektimit të të drejtave dhe lirive të fëmijëve. Në ditën ndërkombëtare të tyre, fëmijët në Kosovë kanë organizuar një varg veprimtarish duke kërkuar mbrojtje më të madhe dhe respektim të të drejtave të tyre. Në një takim që mbajtën me udhëheqës të qeverisë së Kosovës, përfaqësues të fëmijëve bënë thirrje për përmirësim të kushteve të tyre, posaçërisht në shkollat e vendit.

Fjolla Spanca, nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës, tërheq vërejtjen për siç thotë ajo, dhunën psikologjike por edhe fizike që ushtrohet në shkolla. "Faktikisht dhuna në shkollë sanksionohet me ligj, kjo është e prerë, por ligji ende nuk zbatohet në masën e duhur dhe si pasojë e kësaj kemi një nivel të lartë të dhunës në sholla, një nivel shqetësues. Kemi fyerje, sharje, ngacmime, kacafytje ndërmjet nxënësve e profesorëve, rrahje të ndryshme brenda dhe jashtë objektit të shkollës, pra dhuna nuk është vetëm një lojë fjalësh...", thotë Fjolla. Nxënësja tjetër Shpresa Rama thotë se kohët e fundit në Kosovë vërehet një mos angazhim i nxënësve në mësim... "Mendoj se psikologët do të ndikonin në vetëdijesimin e nxënësve se arsimi është e ardhmja jonë", thotë Shpresa.

Ndërsa përfaqësues të fëmijëve kërkojnë përkushtim më të madh të institucioneve ndaj tyre, përfaqësues të institucioneve thonë se janë të përkushtuar në zbatimin e plotë të konventës për të drejtat e fëmijëve, veçanërisht në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të tyre… Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, thotë se investimi më i mirë për të ardhmen e Kosovës është investimi në fëmijët. "Unë besoj shumë se kemi bërë disa veprime, kemi tentuar ta përmirësojmë jetën, por edhe sot në Kosovë fëmijët nuk janë në nivelin çfarë dëshirojmë ne, edhe sot ka fëmijë që nuk janë në gjendjen të cilën dëshirojmë ne. Edhe sot na dhemb zemra nëse shohim fëmijët duke punuar, duke shitur cigare, ose forma të tjera, por të gjitha këto mendoj se me punë dhe me angazhim konkret të qeverisë por edhe të të gjithë shoqërisë do të ndikojnë që t'i vejmë fëmijët që të jetojnë fëmijërinë e tyre".

Në Kosovë të drejtat e fëmijëve janë të garantuara me ligjet në fuqi. Por. Organizatat humanitare tërheqin vërejtjen se problemet shfaqen në procesin e zbatimit të këtyre ligjeve.


XS
SM
MD
LG