Lidhje

Republikanët: Sonja Sotomajor të kërkojë falje për komentin e saj


Në Shtetet e Bashkuara, një senator republikan thotë se kandidatja e emëruar nga presidenti Barak Obama për vendin bosh në Gjykatën e Lartë duhet të kërkojë falje për një koment që ka bërë disa vjet më parë për rolin e racës dhe gjinisë në opinionet juridike. Ndërkohë, senatorët demokratë e minimizuan rëndësinë e këtij komenti dhe po shprehin besimin se Sonia Sotomajor do të konfirmohet si gjykatësja e parë hispanike në Gjykatën e Lartë.

Që nga emërimi i saj javën e kaluar, Sonia Sotomajor është bërë objekt i analizave të shumta. Por, këto analiza nuk kanë përfshirë deri tani pikëpamjet e saj të mundshme rreth çështjës së abortit, kontrollit të armëve ose çështjeve të tjera të cilat shpesh i ndajnë politikisht ose moralisht amerikanët. Më saktë, përqendrimi ka qenë në një fjalim të saj të vitit 2001 ku zonja Sotomajor është shprehur kështu: Shpresoj se “një grua e mençur me orgjinë latino-amerikane, me pasurinë e përvojës së saj, do të arrinte më shpesh në një përfundim më të mirë se sa një mashkull i bardhë që nuk ka pasur rastin të bëjë një jetë të tillë”.

Shumë senatorë republikanë thonë se janë të shqetësuar nga kjo deklaratë pasi ajo le të kuptohet se një gjykatës federal i apelit do të prirej për të marrë në konsideratë racën dhe gjininë në vendimet juridike në vend që të zbatojë ligjin me paanshmëri.

Republikani Lindsi Graham, njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit Juridik të Senatit, ku do të bëhet edhe votimi për zonjën Sotomajor, u shpreh kështu në programin televiziv Fox News Sunday:

Ajo mendon se një grua me origjinë latino-amerikane, me një të kaluar si ajo, do të ishte një gjykatëse më e mirë se sa një burrë si unë nga Karolina e Jugut. Kjo është shqetësuese dhe pa vend. Shpresoj se ajo do të kërkojë falje”- tha ai.

Demokratët thonë se komenti i zonjës Sotomajor është marrë jashtë kontekstit dhe është zmadhuar. Kryesuesi i Komisionit Juridik të Senatit, Patrik Lejhi i shtetit Vermont u intervistua në programin e televizionit Meet the Press të rrjetit NBC:

Do të ishte absolutisht e gabuar të supozohej se përvojat individuale të një personi nuk ndikojnë në mënyrën se si ai ose ajo mendon. Por, kjo nuk nënkupton se ky përson nuk është i aftë të zbatojë ligjin”- tha ai.

Gjatë shpalljes së emërimit të zonjës Sotomajor, Presidenti Obama veçoi historinë e jetës së saj si fëmijë i dy prindërve nga Porto Riko, e cila i kaloi vitet e fëmijërisë në një banesë publike të Nju Jorkut. Ai theksoi gjithashtu nevojën për gjykatës të cilët mund të shprehin ndjeshmëri për shqetësimet dhe sfidat e njerëzve të zakonshëm.

Senatori republikan i shtetit Alabama, Jeff Sessions i tha kështu televizionit në një intervistë që dha dje:

Secili njeri duhet të shprehë ndjeshmëri, secili duhet të ketë ndjenja për krijesat e tjera njerëzore dhe ta tregojë këtë edhe në jetën e tyre. Por, gjykatësi, mendoj unë, duhet të jetë i paanashëm dhe të marrë vendime të bazuara në fakte dhe sipas ligjit”- tha ai.

Megjithatë, zoti Sessions shtoi se Sonia Sotomajor ka një përgatitje akademike dhe profesionale të shkëlqyer.//ap


XS
SM
MD
LG