Lidhje

Shqipëri, vazhdojnë polemikat rreth kartave të identitetit


Opozita socialiste i kërkoi qeverisë që të paraqesë të dhënat më të fundit lidhur me përgatitjen e kartave të identitetit, si informacion që do të ndikojë në vlerësimin e opozitës për procesin zgjedhor.

Partia Socialiste deklaroi se 31 maji ishte afati i fundit për të mbledhur informacion mbi ecurinë e shpërndarjes së kartave përpara se të mbajë një qëndrim për procesin zgjedhor në tërësi.

Debati për kartat e identitetit u shndërrua ditët e fundit në një betejë letërkëmbimesh midis Partisë Socialiste dhe Ministrisë së Brendshme ku çdo mëngjes palët i shkruajnë letra publike njëra-tjetrës duke dhënë shpjegime të ndryshme për shifrat mbi kartat e identitetit.

Ministria e Brendshme zhvilloi të djelën një ceremoni zyrtare për prodhimin e kartës së identitetit me numër 1 milion, duke theksuar se procesi i prodhimit të tyre po ecën normalisht në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave zyrtare, nga 500 mijë qytetarë pa dokumente identifikimi, vetëm 40 mijë kanë mbetur pa aplikuar ende.

Ministria e brendshme e ka përgënjeshtruar disa herë Partinë Socialiste se po manipulon të dhënat për kartat e identitetit dhe se po përpiqet të dekurajojë qytetarët të pajisen me karta.

XS
SM
MD
LG