Lidhje

Kompania General Motors shpalli falimentimin



Presidenti Barak Obama thotë se shpreson që kompania General Motors do të dalë së shpejti nga mbrojtja financiare si pasojë e falimentimit dhe shtoi se qeveria amerikane do t’i japë kësaj kompanie 30 miliardë dollarë ndihmë për të dalë nga kriza.

Presidenti thotë se falimentimi i kompanisë GM nuk është dështimi, por fillimi i një kompanie të re.

"Kjo do të jetë një kompanie e re në gjendje të prodhojë makina të sigurta, të cilësisë së lartë dhe që nuk harxhojnë shumë karburant. Këto do të jenë makinat e së ardhmes që do ta çojnë Amerikës drejt pavarësisë nga burimet e huaja të energjisë çka do të jetë simbol i suksesit amerikan”.

Kompania General Motors, dikur një nga prodhuesit më të mëdhenj të makinave në rang botëror, është përballur kohët e fundit me rënien e shitjeve dhe me rritjen e kostos së prodhimit. Vendime të gabuara nga ana e drejtuesve e kanë bërë edhe më të vështirë situatën, ndërsa recesioni aktual e ka vënë në pikpyetje të ardhmen e kompanisë.

Kohët e fundit qeveria lëvroi një kredi emergjence prej 20 miliardë dollarësh për industrinë e automjeteve dhe në fund të muajit mars, presidenti Obama i tha kompanisë General Motors se dita e sotme ishte afati i fundit për rinegocimin e një plani ristrukturimi me sindikatat, kreditorët dhe aksionerët.

Presidenti thotë se deklarimi i falimentimi do të lejojë kompaninë të eliminojë borxhet dhe investimet e këqija në këtë fillim të ri.

"Në këtë rast do të kishim një plan të besueshëm dhe me të ardhme. Por, për momentin kompania GM nuk mund ta krijojë këtë plan bazuar vetëm në burimet e veta”.

Po ai theksoi se në fund të fundit, përgjegjësia për të ardhmen e firmës dhe dhjetra mijëra punëtorëve të saj u takon Shteteve të Bashkuara.

“Prandaj qeveria jonë do të bëjë një investim tjetër të madh prej rreth 30 miliardë dollarësh tek GM-i.Kjo do ta çojë pronësinë e taksapaguesve amerikanë në 60 përqind të GM-it.”

Republikanët në Kongres reaguan me shpejtësi duke thënë se ata nuk janë dakord me vazhdimin e ndihmave qeveritare për industrinë e prodhimit të makinave. Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve Xhon Boner e vuri në pikëpyetje aftësinë e politikanëve në Uashington për të nxjerrë nga vështirësitë dhe futur në rrugën e fitimit një korporatë shumë-kombëshe.

Presidenti Obama tha se administrata nuk do të marrë përsipër drejtimin e veprimtarive të përditshme të GM-it dhe se qeveria synon ta shesë pjesën e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.

Presidenti tha se formula për GM-in, do t’i ngjajë asaj që u përdor për Krajslerin, firma e tretë më e madhe e prodhimit të makinave, e cila tani është duke dalë nga të njejtat ligje që e mbrojtën nga falimentimi total. //rd//

XS
SM
MD
LG