Lidhje

Gjehen pjesë të aeroplanit, por jo kutitë e zeza


Një nga hetuesit kryesorë të aksidentit ajror të shoqërisë AirFrance tha se nuk është optimist se përpjekjet e kërkimit në Atlantikun jugor do të rezultojnë në gjetjen e kutive të regjistrimit të avionit.

Duke folur sot në Paris, kreu i hetimeve Paul Louis Arslanian tha se hetimi ndërkombëtar mund të mos nxjerrë faktorët që çuan në përplasje e avionit 447. Avioni që udhëtonte nga Rio de Janeiro për në Paris u përlas në det të hënën në mëngjes në brigjet verilindore të Brazilit pasi po fluturonte mbi stuhi të fuqishme. Të 228 personat në bord mendohen të kenë vdekur.

Hetuesi tha se nuk ka informacione se avioni kishte probleme para nisjes dhe tha se raporti paraprak mbi aksidentin pritet nga fundi i muajit.

Ndërkohë avionë nga Brazili, Franca dhe Shtetet e Bashkuara po kërkojnë në një zonë të Atlantikut jugor ku dje u gjetën mbeturina të avionit.

Ministri brazilian i mbrojtjes Nelson Jobim tha se copat e gjetura në Atlantikun jugor janë pa dyshim pjesë të aeroplanit francez, që u zhduk këtë javë.

Forca Ajrore braziliane thanë dje se ekipet e kërkimit gjetën ndënjëse aeroplani, naftë dhe pjesë metalike rreth 650 kilometra larg bregut brazilian.

Ministri Jobim thotë se nga një ekzaminim që kryen dy anije braziliane u konfirmua se sendet mbi ujë i përkisnin aeroplanit 447 të linjës ajrore franceze. Nuk ka asnjë shenjë për të mbijetuar. (ze)


XS
SM
MD
LG