Lidhje

Punëtorët e Detroitit në vështirësi, ndërsa GM riorganizohet


Dikur punëdhënësi më i madh i sektorit privat në Shtetet e Bashkuara, General Motors me qendër të Detroit, kishte 500 mijë punonjës në gjithë vendin.Ky numër ra në 60 mijë vitet e fundit.Tani shteti i Miçiganit, që po kalon një periudhë depresioni ekonomik, mund të zhytet edhe më thellë në të, pasi GM-i ka në plan të shkurtojë 20 mijë vende pune dhe të mbyllë 17 objekte të tij në gjithë vendin në kuadrin e riorganizimit për të dalë nga falimentimi.Dhe ndërkohë, e ardhmja e punëtorëve të industrisë së automjeteve për të vazhduar punën ose për të gjetur një punë tjetër duket e zymtë.

Në Detroit sheh kudo shënjat e perëndimit të një periudhe kur qyteti ishte simbol i fuqishëm i klasës punëtore të Amerikës. Një stacion treni dikur i mbushur me njerëz, tani është i boshatisur në mes të ish sektorit të automjeteve të Detroitit në bulevardin Miçigan. Nuk shikon më makina kadillak apo pjesë për makinat që të dalin nga uzinat e ndërtimit, shumica e të cilave të mbyllura dhe të rënuara.

“Ky është kthyer në një qytet fantazmë”, thotë Geri Uilson, sekretari i financave të degës 22 të sindikatës së punëtorëve të automjeteve.Zyra e tij është mes atyre pak shënjave jete përgjatë bulevardit Miçigan.Geri u rrit në këtë lagje dhe u punësua në General Motors në vitin 1977. “Pas mbarimit të shkollës së mesme ne kemi shkuar të punojmë, kjo ka qënë mënyra e jetesës këtu në Detroit”, thotë Geri.

Por tani kjo mënyrë jetese po zhduket, pasi shumë vende pune në industrinë e automjeteve nuk ekzistojnë më.Për momentin, Geri Uilson ende është i punësuar në një nga fabrikat e GM-it që nuk do të mbyllen, ashtu si edhe Xhorxh Mekgregor, presidenti i degës 22 të sindikatës. Mekgregor filloi punë në General Motors në vitin 1968, duke iu bashkuar shokëve të tij të ushtrisë që paguheshin mirë në linjat e montimit.

“Kur u punësova këtu, mendova se ishte gjëja më e mirë që kisha arritur” thotë Mekgregor.Për më shumë se 40 vjet, ai ka qënë dëshmitar i shkurtimit të më shumë se gjysmë milioni vende pune në GM, një prej punëdhënësve më të mëdhenj të botës.Rënia e GM-it ka prekur disa breza në familjen e Makgregorit.Xhaxhallarët e tij janë në pension, por të pasigurt nëse do të vazhdojnë të paguhen dhe të kenë sigurime shëndetësore.E bija e tij humbi punën në një pikë pjesësh këmbimi. Nipi i tij 17-vjeçar ka pak të ngjarë të gjejë punë në zonën e Detroitit.

Dik Blaus, president i Dhomës rajonale të Tregtisë është pesimist për të ardhmen dhe thotë se papunësia që sot është mjaft e lartë, do të rritet në muajt e ardhshëm.“Shumë njerëz parashikojnë të kemi një shkallë papunësia nga 15 në 20 përqind deri në ristrukturimin e GM-it”.

Por megjithë të ardhmen e zymtë ka edhe disa shënja shprese.Në bazë të marrëveshjes së arritur mes GM-it dhe Sindikatës, të papunët do të rifillojnë punë në linjat e montimit në vendet e reja që do të krijohen.

Një uzinë e GM-it për prodhimin e makinave të vogla, që ishte planifikuar të hapej në Kinë, do të hapet në Shtetet e Bashkuara pas riorganizimit të GM-it. Por fillimi i një pune të re në një uzinë të re do të jetë i vështirë për punonjës si Uilsoni dhe Mekgregori, që janë në prak të pensionimit.Ata thonë se nuk kanë ku të shkojnë, prandaj do të presin deri sa kompania të ristrukturohet.

Mekgregor beson se zgjidhja përfundimtare e problemeve që kanë pllakosur General Motors-in, si dhe Chrysler-in dhe Ford-in, nuk është vetëm nxjerrja e tyre nga falimentimi, por ristrukturimi i gjithë ekonomisë së vendit, që do t’u siguronte përsëri punënjerëzve dhe eventualisht ata do të blinin dhe ngisnin makina të reja. //iç//

XS
SM
MD
LG