Lidhje

Ç'presin arabët dhe myslimanët e Amerikës nga fjalimi i presidentit?


Nesër, Presidenti Barak Obama do të mbajë në Egjipt një fjalim drejtuar botës myslimane. Kjo shihet gjerësisht si një mundësi që Presidenti Obama t’i japë një drejtim të ri politikës së jashtme amerikane. Amerikanët me prejardhje arabe dhe myslimane do ta ndjekin me vëmendje këtë ngjarje, për të kuptuar në se zoti Obama ka në plan të sjellë paqe afatgjatë në Lindjen e Mesme.

Në pjesën juglindore të shtetit të Miçiganit jetojnë 300 mijë arabo-amerikanë, komuniteti më i madh mysliman në Shtetet e Bashkuara. Në Dirborn, një lagje periferike e Detroitit, një e treta e popullsisë janë arabo-amerikanë, shumë prej të cilëve të besimit mysliman. Faj Sad punon në Muzeun Kombëtar arabo-amerikan në Dirborn.

“Natyrisht, që ka edhe popullësi me prejardhje të tjera etnike, si irakianë, palestinezë dhe jemenas, që qëndrojnë afër njeri tjetrit. Ne mblidhemi bashkë si në kohë të vështira, edhe në kohë të mira”.

Viti 2006 ishte i vështirë për Saadin. Një bombë izraelite shkatërroi shtëpinë e familjes në Bejrut, duke vrarë gjyshen dhe tezen e saj.

Ajo shpreson se Presidenti Obama do të rikthejë atë që ajo e konsideron drejtësi në marrëdhëniet me palestinezët dhe Libanin.

“Bombat e prodhuara në Amerikë vranë gjyshen time. Në se Amerika do të vazhdojë të furnizojë me bomba dhe me municion Izraelin, që ky i fundit të shkatërrojë vendet arabe, kjo nuk është aspak e drejtë”.

Anan Ameri, palestinezo-amerikane, është drejtoresha e muzeut. Ajo shpreson se fjalimi i Presidentit Obama është hapi i parë në vendosjen e paqes së qëndrueshme mes Izraelit dhe Palestinës, siç i referohet ajo territoreve palestineze.

“Ky problem ka ekzistuar për një kohe shumë të gjatë dhe nuk do të zgjidhet brenda një dite. Por të paktën synimet apo mesazhet që po marrim, është se Lindja e Mesme është një çështje që duhet zgjidhur me drejtësi dhe se palestinezët duhet të gjejnë një zgjidhje të drejtë për problemet e tyre”.

Komuniteti arabo-amerikan i Dirbornit ka gazetën e vet. Shumë artikuj të kohëve të fundit kanë trajtuar pikërisht fjalimin e ardhshëm të Presidentit Obama.

Osama Siblani, botues i gazetës, thotë se Presidenti Obama i ka burimet e nevojshme në vend që do të ndihmonin për fillimit të një nisme paqeje.

“Mendoj se presidenti ka në dispozicion dy potencialë me peshë. Një prej tyre është Presidenti Jimmy Carter dhe tjetri janë arabo-amerikanët”.

Disa nga këta arabo-amerikanë jetojnë në Kaliforni. Khaled Soliman punon për bashkinë e qytetit të Los Anxhelosit dhe thotë se pret shumë nga fjalimi i Presidentit Obama.

“Ajo që unë pres prej tij në Kajro, është një mesazh shprese dhe që të tregojë në të njëjtën kohë se Amerika është e sinqertë në qëndrimin e saj ndaj botës myslimane, për të ndryshuar imazhin e krijuar gjatë 8 vjetëve të fundit. Dhe natyrisht, që fjalët e tij duhet të pasohen me vepra”.

Por Mailka Rushdan, që jeton në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara thotë se një fjalim i vetëm nuk do të përcaktojë në se Presidenti Obama mund të përmirësojë apo jo marrëdhëniet me myslimanët.

“Nuk do të lakmoja të isha në pozitën e tij, sepse ai ka një barrë tepër të rëndë mbi shpatulla dhe një rrugë të gjatë për të përshkruar, kur është fjala për përmirësimin e marrëdhënieve me botën myslimane në mbarë botën e deri tani asgjë nuk është e qartë se si do të jetë e ardhmja”.

Perspeketivat e përpjekjeve për paqen mes arabëve dhe izraelitëve dhe rrjedhimisht përmirësimi i marrëdhënieve me myslimanët do të bëhen më të qarta disa muaj pas fjalimit, thotë Profesori i Universitetit të Michiganit, Juan Cole.

“Në janar do të mbahen zgjedhjet e reja palestineze, në se ato organizohen siç duhet, do të zgjidhet një qeveri me të cilën mund të negociosh. Presidenti Obama përballet me sfida, që nuk janë të pakapërcueshme”.

Shumë amerikanë me prejardhje arabe dhe myslimane ndajnë aspekte të përbashkëta me zotin Obama, si djali i një afrikani të besimit mysliman, i cili ka jetuar për disa vite në Indonezi, vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë.

Por shumë të tjerë venë në pikëyetje në se ai mund të përdorë prejardhjen e tij, apo vullnetin e mirë të komunitetit ndërkombëtar për të përballuar me sukeses sfidat e politikës së jashtme, që rrjdhin nga Lindja e Mesme. (ze)

XS
SM
MD
LG