Lidhje

Indi: Gruaja e parë në histori, kryetare e parlamentit


Në Indi, Dhoma e Ulët e parlamentit të sapo zgjedhur miratoi sot për herë të parë në histori një grua në postin e kryetarit.

Meira Kumar, anëtare e komunitetit Dalit, tha se do të bëjë ç’është e mundur që të jetë e drejtë me të gjithë anëtarët e Dhomës së Ulët të parlamentit.

Zonja Kumar po kryen mandatin e pestë si anëtare e parlamentit nga shteti i varfër lindor i Biharit. Babai i saj ka qënë zëvëndës-kryeministër i vendit.

Kryeministri indian, Manmohan Sin, e cilësoi vendimin e sotëm të parlamentit si një “rast historik”.

Zonja Kumar u emërua për në këtë post nga partia në pushtet Kongresi dhe u bë kandidate me potencial, pasi mori mbështetjen e partisë më të madhe të opozitës Baratija Xhanata dhe të grupeve të tjera politike.

Analistët politikë thonë se emërimi i 64 vjeçares Kumar për në postin e kryetarit do të jetë në avantazh të partisë Kongresi në disa nivele.

Ata thonë se kjo parti jo vetëm që do të shikohet si pro grave, por edhe si parti që shqetësohet rreth gjendjes së komunitetit Dalit, i cili ështpë diskriminuar nga hindutë për shekuj me rradhë. (ze)

XS
SM
MD
LG