Lidhje

Kina shton masat e sigurisë në prag të përvjetorit të Tienanmenit


Kina bllokoi sot forumet në Internet dhe në mediumet e tjera elektronike, ndërsa forca të shumta sigurie janë vendosur në sheshin Tienanmen, një ditë para 4 qershorit, 20 vjetorit të shtypjes së protestave pro-demokracisë.

Dëshmitarët thonë se masat e shtuara të sigurisë janë të dukshme: makina të zeza policie të parkuara pranë sheshit si dhe forca policore me veshje civile që patrullojnë. Gazetarët nuk lejohen t’i afrohen sheshit Tienanmen.

Në agimin e 4 qershorit të vitit 1989, tanket u futën në shesh për të shtypur studentët dhe punëtorët që kishin javë që po protestonin. Kina nuk ka lejuar hetime të pavarura dhe numri i viktimave është një temë tabu në atë vend.

Mendohet se qindra, por ndoshta edhe mijëra protestues mund të jenë vrarë atë ditë. Njoftimet e shtypit të huaj rreth përvjetorit janë ndaluar në Kinë.

Zyrtarët kanë shtuar kufizimet e Internetit, kanë bllokuar përdorimin e mediumit Twitter dhe të mediumeve të tjera, si Flickr, ku njerëzit mund të shkëmbejnë fotografi. (ze)

XS
SM
MD
LG