Lidhje

Inçizim i ri zanor, që mendohet të jetë i Bin Ladenit


Një inçizim i ri zanor, që mendohet të jetë i Bin Ladenit, kritikon politikat e Presidentit Barak Obama për vendet myslimane.

Regjistrimi fonik u transmetua sot nga rrjeti Al Xhazira, pak kohë pasi Presidenti Obama mbërriti në Arabinë Saudite.

Bin Ladeni thotë se zoti Obama po ecën në gjurmët e paraardhësit të tij Xhorxh Bush dhe po mbjell farë të reja urrejtjeje për Shtetet e Bashkuara në botën myslimane. Këtë ai e argumenton me mbështetjen e Amerikës për qeverinë e Pakistanit, e cila po lufton forcat taleban në luginën veriperëndimore të Svatit.

Vërtetësia e regjistrimit nuk është verifikuar. Ky është mesazhi i dytë i al-Kaidës për presidentin e Shteteve të Bashkuara në dy ditët e fundit.

Dje, numri dy në komandën e al-Kaidës, Ajman al-Zavahiri i bëri thirrje Egjiptit që t'i kundërvihet zotit Obama kur ai të mbajë fjalimin në Universitetin e Kajros nesër.

Shtëpia e Bardhë thotë se gjatë atij fjalimi presidenti do të theksojë angazhimin e tij personat për të përmirësuar marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me komunitetet myslimane. (ze)

XS
SM
MD
LG