Lidhje

Bota myslimane pret fjalimin e presidentit Obama në Kajro


Presidenti Barak Obama po i bën ndryshimet e fundit fjalimit të shumëpritur drejtuar myslimanëve të mbarë botës, të cilin do ta mbajë sot në kampusin e Universitetit të Kajros. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Polla Ulfson.

Disa qindra të ftuar do të mbushin sot sallën për të dëgjuar fjalimin e Presidentit. Por miliona të tjerë do ta ndjekin atë përmes televizionit.

Ky mund të jetë fjalimi i tij më i rëndësishëm deri më tani për politikën e jashtme. Do të jetë edhe fjalimi më i shumëpritur pas premtimeve të fushatës për t’ju drejtuar myslimanëve të botës nga një vend me shumicë islamike. Zoti Obama zgjodhi Egjiptin, në zemrën e botës arabe, si vendin për ta mbajtur këtë fjalim.

Por, ndërsa pritet që temat e fjalimit të jenë filozofike dhe të mbulojnë një sërë çështjesh, pjesa që do të ndiqet më me kujdes, do të ketë lidhje me luftën dhe paqen në Lindjen e Mesme.

Këshilltarët e Presidentit thonë se ai nuk do të shpalosë ndonjë propozim të ri dhe nuk do të bëjë thirrje për një konferencë tjetër paqeje.

Presidenti do të përpiqet të ndryshojë tonin e dialogut mes Shteteve të Bashkuara dhe botës myslimane dhe të zëvëndësojë mosbesimin e krijuar me një frymë bashkëpunimi dhe sinqeriteti.

Ben Rouds është një nga autorët e fjalimeve të Presidentit në Këshillin për Siguri Kombëtare.

"Presidenti ndjen se është e rëndësishme të flitet haptazi dhe në mënyrë miqësore mbi një sërë çështjesh që kanë sjellë tension mes Shteteve të Bashkuara dhe botës myslimane si dhe të paraqesë mundësitë e shumta për partneritet në të ardhmen”.

Zoti Rouds thotë se Presidenti ka luajtur një rol aktiv në procesin e shkrimit të fjalimit të tij dhe se për këtë qëllim janë këshilluar një numër ekspertësh brenda dhe jashtë qeverisë.

Këshilltari kryesor i Presidentit, Dejvid Akselrod thotë se, ndonëse fjalimi është i rëndësishëm, nuk mund të priten ndryshime dramatike brenda një dite. Sipas tij, fjalimi do të jetë pjesë e përpjekjes së zotit Obama për t’u afruar me botën myslimane, përpjekje e cila nisi që me Ditën e Inaugurimit dhe u forcua gjatë udhëtimit të tij në Turqi gjatë muajit prill.

Zoti Akselrod thotë se ulja e tensioneve të krijuara nga lufta në Irak, burgu i Gunatanamos dhe ngecja e procesit izraelito-palestinez të paqes është diçka që do të kërkojë kohë.

"Mes Amerikës dhe botës islamike është krijuar një çarje e pamohueshme. Kjo situatë ka kohë që është krijuar, ndaj ajo nuk mund të ndryshohet vetëm me një fjalim. Mbase edhe nuk do të mund të ndryshohet brenda katër vjetëve”.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë thotë se ndjehet e prekur nga interesimi kaq i madh për këtë fjalim. Denis Mekdona është Drejtor i Komunikimit Strategjik në Këshillin për Siguri Kombëtare. Ai thotë se shumë ambasadave amerikane në botë po u vijnë kërkesa pa fund për kopje të fjalimit në gjuhët vendase.

"Na ka bërë përshtypje sesa shumë kërkesë ka nëpër ambasadat tona për ta pasur këtë fjalim”.

Zoti Mekdona thotë se në këtë rast do të përdoren të gjitha format e reja të mediave. Kështu në internet do të publikohen kopje të përkthyera të fjalimit dhe njerëzit mund të japin mendimin e tyre përmes mesazheve telefonike në faqe si Facebook e të tjera. //ek

XS
SM
MD
LG