Lidhje

Perceptimet në botën arabe për SHBA, ende negative


Ndihmës të zotit Obama thonë se ndonëse fjalimi i Kajros ishte i rëndësishëm, nuk mund të priten ndryshime dramatike brenda një dite. Sidoqoftë, një anketë e re e Universitetit të Merilendit dhe e firmës Zogby International mbi reagimet në Egjypt, Arabinë Saudite, Jordani, Marok dhe Emiratet e Bashkuara Arabe tregon se zgjedhja e presidentit Obama ka ngjallur shpresë rreth politikës amerikane në Lindjen e Mesme. Por ajo nxjerr gjithashtu në pah se shumica e arabëve ende kanë pikëpamje jo pozitive për Shtetet e Bashkuara.

Perceptimet në botën arabe për Shtetet e Bashkuara janë ende negative, sipas një ankete të kryer nga Universiteti i Merilendit dhe firma Zogby International.

77 përqind e të anketuarve thonë se Shtetet e Bashkuara janë kërcënimi i dytë më i madh pas Izraelit, një përmirësim ky nga anketat e vitit të kaluar.

45 përqind e arabëve të anketuar kanë pikëpamje pozitive për presidentin Obama.
Profesori i universitetit të Merilendit Shibli Telhami kryesoi anketimin.

“Arabët e pëlqejnë atë, janë të hapur dhe optimistë. Shumica kanë shpresë ndaj politikës së jashme amerikane që kur ai u bë president por kjo nuk është përkthyer ende në ndryshim të sjelljes ndaj politikës së jashtme amerikane”.

Më shumë se 4 mijë njerëz në 6 shtete arabe u pyetën midis muajve prill dhe maj. Shumica dërrmuese identifikojnë konfliktin arabo-izraelit si çështjen kryesore ndërsa 41 përqind thonë se një marrëveshje paqeje me ndërmjetësinë e Uashingtonit do të ndryshonte pikëpamjet e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara.

Në se trupat amerikane tërhiqen nga Iraku deri në vitin 2011, 51 përqind thonë se do t’i vlerësonin pozitivisht Shtetet e Bashkuara. Zoti Telhami thotë se për arabët, veprat flasin më qartë se fjalët.

“Në fund, ata do të gjykojnë bazuar në veprat. Vetë presidenti në intervistën e tij me Televizionin Al-Arabia tha se e di që nuk do të më gjykoni nga ato që them, por nga ato që do të bëj dhe mendoj se administrata e ka kuptuar këtë”.

Anketa tregon gjithashtu se arabët ndjekin më shumë kanalin televiziv Al Xhazira, i financuar nga qeveria e Katarit kurse Al Hurra e financuar nga qeveria amerikane radhitet afër fundit.

Por një zëdhënëse e Bordit të Guvernatorëve për Transmetimet – agjencia që mbikqyr Televizionin Al-Hurra, thotë se anketa në fjalë analizon vetëm preferencat e audiencës. Nëse matet numri i njerëzve që shikojnë al-Hurrën, thotë zëdhënësja Letitia King, del se ky kanal ka një audiencë prej 27 milion shikuesish në javë në të gjithë Lindjen e Mesme.

Zogby International krey një anketë të veçantë në të njëjtat vende arabe mbi 100 ditët e para të presidentit Obama.

Në të katër vendet – Arabi Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Marok dhe Liban – shumica thanë se zgjedhja e Barak Obamës si president e ka rritur vlerësimin e tyre për Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Bush në kontrast, nuk pëlqehej në botën arabe pas pushtimit të Irakut për shkak të perceptimit të krijuar në botën arabe se administrata e tij hapi luftë me Islamin.

Xhejms Zogbi është president i Insitutit arabo-amerikan dhe analist i firmës Zogby International që drejtohet nga vëllai i tij, Xhon Zogbi. Anketat, thotë ai, tregojnë se plani i presidentit Obama për t’u tërhequr nga Iraku dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të mira me botën myslimane ka të ngjarë t’i përmirësojë lidhjet amerikano-arabe.

“Mendoj se ai ka filluar ta ndryshojë imazhin. Por i duhet edhe pak më tepër punë për t’ja arritur kësaj. Ndalimi i torturës dhe ndryshimi i drejtimit në retorikën e përdorur, fjalimi i tij në Turqi, fjalimi në Kajro, të gjitha këto do të ndihmojnë”.

Pikëpamjet jo të favorshme për Shtetet e Bashkuara nuk e kanë burimin te feja apo te vlerat por te politika amerikane në Lindjen e Mesme, tregon anketa e Zogbit. (ze)

XS
SM
MD
LG