Lidhje

Bota reagon ndaj fjalimit të Presidentit Obama në Egjipt


Reagimet më të shumta ndërkombëtare ndaj thirrjes së Presidentit Obama për “një fillim të ri” me botën myslimane kanë qenë të matura por pozitive, edhe nga rivalët tradicionalë të Amerikës si grupi militant palestinez Hamas.

Udhëheqësit fetarë në Al-Azhar, Universiteti i lashtë Islamik, i cili mori pjesë në sponsorizimin e fjalimit të Presidentit Obama, i përshëndeti komentet e tij si shenjë e një epoke të re premtuese në marrëdhëniet e Amerikës me botën myslimane.

Disa politikanë në Lindjen e Mesme i mirëpritën komentet e sinqerta, siç u shprehën ata, të zotit Obama lidhur me konfliktin izraelito-palestinez.

Qeveria izraelite tha se Izraeli shpreson, ashtu sikurse zoti Obama, se kjo përpjekje amerikane paralajmëron fillimin e një epoke të re që do t’i japë fund konfliktit.

Por udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se nuk është e mundur që Shtetet e Bashkuara të sjellin ndryshime përmes fjalimeve dhe parrullave. Ai i bëri thirrje Uashingtonit të ndërmarrë hapa praktikë për të korrigjuar ato që ai quajti “gabime dhe padrejtësi” që ka kryer në Lindjen e Mesme.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, tha se Khamenei i bëri komentet dje në një ceremoni me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së udhëheqësit suprem Ayatollah Ruhollah Khomeini, i cili udhëhoqi revolucionin islamik iranian në fund të viteve 70 që përmbysi ish monarkun e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Shahun Mohammad Reza Pahlavi.

Kolonët hebrej në Bregun Perëndimor, ndërtimet e reja të të cilëve u kritikuan nga Presidenti në fjalimin e tij, e quajtën zotin Obama “naiv” dhe “të shkëputur nga realiteti”. Qeveria izraelite nuk i përmendi vendbanimet hebraike.

Deputeti i Grupit Hezbollah të Libanit, Hassan Fadlallah tha se bota islamike ka nevojë për veprime dhe jo leksione.

Studentë pakistanezë i thanë Zërit të Amerikës se fjalimi u bëri përshtypje, por përshtypja do të kishte qenë më e madhe nëse do të shikonin ndryshime konkrete në disa nga politikat amerikane.

Një zëdhënëse e Kombeve të Bashkuara, tha se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun “u inkurajua shumë nga fjalimi” dhe beson se ai është një hap me rëndësi kritike për ngushtimin e diferencave.

Kreu i Projektit Amerikano-Mysliman të Angazhimit me qendër në Uashington, Rob Fersh, i tha Zërit të Amerikës se Presidenti "qëlloi në shenjë” përsa i përket ndryshimeve që duhen bërë për të përmirësuar marrëdhëniet.

XS
SM
MD
LG