Lidhje

Ambasadori Uidhërs komenton për zgjedhjet në Shqipëri

  • Armand Mero
  • Tiranë

Ambasadori amerikan Xhon Uidhërs i bëri sot thirrje qyetarëve shqiptarë, që në ditët e mbetura deri në mbylljen e afatit për të aplikuar për letërnjoftimin e ri,ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u bërë pjesë e procesit të zgjedhjeve, një proces të cilin ai e cilësoi të jashtëzakonshëm dhe një moment të veçantë për vendin dhe individët.

Thirrja e ambasadorit amerikan vjen në një moment, kur debati për letërnjoftimet e reja dhe procesin e pajisjes së qyetarëve me të, po bëhet dita ditës e më i nxehtë. Zoti Uidhërs vlerësoi si inkurajues faktin që afër 1.2 milion qyetarë kanë aplikuar, por ai shtoi se procesi është shoqëruar edhe me disa probleme.

Ai cilësoi si një shqetësim me rëndësi jetike çështjen e personave pa pasaportë, të cilët siç tha ai, janë njerëzit me më shumë rrezik për t’iu mohuar mundësia për të votuar. E drejta universale për të votuar shpjegoi ai, është një nga standartet që zgjedhjet të quhen të lira e të ndershme:

"Problemi që unë shoh është se është ende e paqartë se sa njerëz mund të futen në këtë katogori, bazuar në informacionin që na është dhënë. Unë mendoj se është shumë e rëndësishmë që të ketë qartësi në këtë situatë. Mund të fillohet duke ditur se sa është numri i qytetarëve për të cilët po flasim dhe si rrjedhim të inkurajohen njerëzit që të votojnë, të sigurohet se ata kanë mundësinë e votës, të sigurohet se ata mund të identifikohen nga qendrat administrative, në mënyrë që këto çështje të zgjidhen dhe Shqipëria të ketë mundësinë të ofrojë standartin universal të së drejtës për të votuar, e cila është shumë e rëndësishme për këto zgjedhje".

Autoritetet shqiptare kanë dhënë shifrën zyrtare prej 729 mijë qytetarësh pa pasaportë, por ajo është parë më dyshim nga opozita, e cila ka kërkuar me ngulm të ketë listat e personave që disponojnë pasaportë, në mënyrë që siç shprehen, të bëjnë ballafaqimin e shifrave. Por kjo listë nuk është dhënë, pasi sipas Ministrisë, shkelen të dhënat personale të cilat mbrohen me ligj.

Por për opozitën,edhe të dhënat që u janë ofruar, kane qenë kontradiktore dhe dje bënë edhe një kallëzim penal ndaj strukturave të Ministrisë së Brendshme për fallsfikim e manipulim të të dhënave zyrtare.

Ambasadori tregoi, se për çështjen e personave pa pasaporta ka patur kontakte me organizmat ndërkombëtare por edhe autoritetet shqiptare për të nxitur, sic u shpreh ai, që informacioni i cili mund të ofrohet në mënyrë të ligjshme e që do të mund të qartësonte dhe zgjidhte këtë cështje ti ofrohet KQZ dhe trupave vendase dhe ndërkombëtare që kanë interes legjitim në këtë proces:

"Shpresoj që kjo të trajtohet si një çështje që kërkon ndërhyrje të menjëherëshme, që këto çështje të zgjidhen si përsa i përket natyrës logjistike, ashtu edhe përsa i përket debatit politik të lidhur me të, në mënyrë që procesi i regjistrtrimit të votuesve të vazhdojë me shpejtësi dhe në mënyrë të barabartë", - tha ai.

Ambasadori amerikan tha se qeveria duhet të nxisë qyetarët, të cilët kanë aplikuar të tërheqin letërnjoftimin e ri ,pasi kjo kategori është në numër shumë më të vogël se ata që janë paraqitur përtë aplikuar. Ai tha gjithashtu, se megjithëse përshtypja e përgjithshme është se gjërat po funskionojnë, ka ende probleme në disa zona, veçanërisht ato rurale, duke përmendur këtu problemet me oraret e zyrave të aplikimit, ato me shkëputjet e internetit dhe energjisë.

Procesi i pajisjes me letërnjoftime është ende pjesë e një debati të ashpër politik. Nga njëra anë opozita, e cila përsërit se nuk do të lejojë zgjedhje në të cilat qytetarët nuk kanë mundësi të votojnë, dhe nga ana tjetër qeveria e cila problemin e letërnjfotimeve, siç është shprehur kryeministri, e konsideron si inekzistent dhe vetëm zhurmë të socialistëve për të justifikuar faktin se sipas tij kryetari socialist Edi Rama nuk dëshiron të futet në zgjedhje.//lk

XS
SM
MD
LG