Lidhje

Obama: Ushtarët që zbarkuan në Normandi nuk harrohen kurrë


Presidenti Barak Obama iu bashkua dje udhëheqësve nga ana tjetër e Atlantikut për të përkujtuar 65-vjetorin e zbarkimit të aleatëve në Normandi, një ngjarje që ia ndryshoi kursin Luftës së Dytë Botërore. Ata u mblodhën në varrezën amerikane që ngrihet mbi plazhet ku më 6 qershor 1944 u shkrua një faqe e rëndësishme e historisë.

Ndoshta askund në botë lidhjet mes Amerikës dhe Europës nuk janë më të dukshme se këtu, në këtë rrip toke pranë detit të mbushur me rradhë pafund varresh të bardhë.

Këta janë varret e ushtarëve të rinj amerikanë që vdiqën gjatë zbarkimit në Normandi.

Në këtë ditë, shokët e tyre të armëve që mbetën gjallë – tashmë mjaft të moshuar – iu bashkuan presidentëve dhe kryeministrave të tyre për të kujtuar të rënët.

Presidenti Obama tha se ushtarët që zbarkuan në plazhet e Normandisë nuk do të harrohen kurrë.

"Ne nuk mund dhe nuk duhet të harrojmë se dita e zbarkimit aleat ishte dita dhe vendi ku trimëria dhe altruizmi i disave mundi të ndryshojë rrjedhën e një shekulli të tërë. Në një çast rreziku maksimal, në rrethanat më të vështira, njerëz të cilët e menonin veten si të zakonshëm gjetën forcën brenda vetes të bëjnë të jashtëzakonshme.”

Presidenti Obama tha se ata e realizuan zbarkimin kur shanset e fitores ishin tepër të pakta, duke u përballur me një det të trazuar dhe me një prani gjermane të fortifikuar mirë.

"Pikërisht fakti që fitorja dukej thjesht e pamundur është pjesë e asaj që e bën atë ditë aq të paharrueshme. Kjo e ka burimin edhe te qartësia e qëllimit me të cilin u bë kjo luftë."

Duke qendruar pranë udhëheqësve të Francës, Britanisë dhe Kanadasë, Presidenti tha se lufta kundër Gjermanisë naziste ishte me rëndësi thelbësore. Duke folur një ditë pas vizitës në ish kampin e përqendrimit të Buhenvaldit, ai tha se ideologjia naziste u përpoq të nënshtrojë, poshtërojë dhe shfarosë.

"Qytetarët e të gjitha besimeve dhe ata që nuk besonin arritën të krijojnë bindjen se ne nuk mund të rrinim duarkryq përballë vrasjeve dhe shkatërrimeve të kryera me egërsi. Prandaj ne u bashkuam me të tjerët dhe dërguam bijtë tanë për të luftuar, shumë prej të cilëve vdiqën, në mënyrë që të tjerët, burra dhe gra të cilët ata nuk i kishin takuar kurrë, të mund të dinin se ç’do të thotë të jetosh i lirë. "

Para vizitës në Buhenvald, President i tha një intervistuesi se shpresonte që udhëheqësit e Iranit, të cilët e kanë vënë në pikëpyetje ekzistencën e Holokaustit, do të vizitonin një ditë Buhenvaldin.

Irani ishte gjithashtu një ndër temat për të cilat ai foli kur u ul për bisedime, para cemonive përkujtimore të Normandisë, me presidentin francez, Nicolas Sarkozy.

Pas takimit, Presidenti Sarkozy i bëri thirrje Iranit të angazhohet në negociata lidhur me ambicjet e tij bërthamore.

“Ne duam paqe, ne duam dialog por ne nuk duam që armët bërthamore të përhapen.”


Presidenti Obama u pyet pastaj rreth kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut.

Ai tha se preferon diplomacinë por la të kuptohet se bota nuk mund të presë pafundësisht për të dëgjuar një përgjigje pozitive nga Peniani.

"Diplomacia duhet të përfshijë palën tjetër kur ajo angazhohet në mënyrë serioze dhe ne nuk e kemi parë këtë reagim nga Koreja e Veriut."


Normandia ishte vendi i përshtatshëm për mbylljen e këtij turneu presidencial i cili pati si qëllim përkujtimin e viktimave të luftës dhe demonstrimin e unitetit për çështjen e paqes. Ceremonitë filluan me një lutje dhe përfunduan me fluturimin në formacion luftarak të avionëve të aleatëve për t’i dërguar një përshëndetje heronjve të zbarkimit të 6 qershorit 1944. //ii

XS
SM
MD
LG