Lidhje

Arkiva Kombëtare amerikane feston 75 vjetorin


Arkiva Kombëtare feston sivjet 75 vjetorin. Në raportin në vijim i hedhim një vështrim këtij institucioni ku ruhen dokumentat më të rëndësishme amerikane.

Çdo ditë vizitorët mbushin sallën e Arkivës Kombëtare, për të parë nga afër dokumentat që shënuan lindjen e qeverisë amerikane: Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta Amerikane dhe Ligji i të Drejtave.

Por, Arkiva Kombëtare nuk është përgjegjëse vetëm për arkivimin e të ashtuquajturës Kartat e Lirisë por edhe për arkivimin e të gjithë dokumentave historike qeveritare që kur u krijua në vitin 1934, siç thotë edhe punonjësi i Arkivës, Majkëll Kurtz:

"Historianët dhe zyrtarë të tjerë të shtetit pranuan se historia shtetërore po humbiste. Të dhënat arkivoheshin nga agjencitë e veçanta, por zjarret, përmbytjet dhe fatkeqësi të tjera natyrore po e shkatërronin trashëgiminë tonë kombëtare”.

Por jo çdo dokument qeveritar arkivohet. Vetëm 1 deri në 3% të dokumentave quhen me rëndësi arkivimi, si për shembull Marrëveshja e Atlantikut Verior, e cila ka një rëndësi historike.

Arkiva Kombëtare përmban 9 deri në 10 miliardë dokumenta, të cilët janë arkivuar në forma të ndryshme.

"Të dhënat i kemi në forma të ndryshme. I kemi dokumentuar në filma, në video, përmes hartave. Kemi të dhëna elektronike, dixhitale si dhe një numër shumë të madh të dhënash në letër”.

Disa nga dokumentat më origjinale po shfaqen në një ekspozitë të posaçme për nder të 75 vjetorit të Arkivës Kombëtare. Xhenifer Xhonson është specialiste ekspozitash në Arkivën Kombëtare.

“Ky është një përvjetor i rëndësishëm për Arkivën Kombëtare dhe ne donim ta festonim atë përmes një ekspozite të veçantë. Donim të shfaqnim disa objekte të veçanta që nuk shfaqen normalisht për arsye të madhësisë së tyre”.

Një nga këto dokumenta është një hartë beteje katër metër katrore e cila vjen nga Getisburgu i Pensilvanisë. Një dokument tjetër është vaska e presidentit Uilliam Hauard Taft.

Këtu ndodhet edhe një këpucë e yllit të basketbollit Shaki O’Nill të cilën ky i fundit ia dhuroi presidentit Xhorxh Bush.

Në këtë ekspozitë shfaqen edhe dokumenta që shënojnë ditë historike për Amerikën si Dita e Zbarkimit të Aleatëve, që solli fitoren e Aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ekspozita të tilla i japin vizitorëve një pasqyrë të pasurisë së madhe që ndodhet në Arkivën Kombëtare por perla e Arkivës mbetet Karta e të Drejtave. //ek

XS
SM
MD
LG