Lidhje

BE - zgjedhjet: Konservatorët do të kenë shumicën në parlament



Votuesit evropianë kanë përkrahur konservatorët në zgjedhjet e fundit për në Parlamentin Evropian.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve tregojnë se partitë e qendrës së djathtë i kanë shuar shpresat e rivalëve socialistë për të mbajtur kontrollin e këtij parlamenti, megjithë pjesëmarrjen e ulët në votime. Pavarësisht krizës ekonomike që ka mbërthyer vendet e BE-së, partitë konservatore në pushtet në Francë, Gjermani, dhe Itali, kanë dalë mirë në këto zgjedhje. Ndërsa në kontrast me to, partitë e qendrës së majtë në Britani dhe Spanjë kanë pësuar humbje.

Partitë konservatore e deklaruan fitoren e tyre si një votë kundër shpenzimeve stimuluese dhe shpëtimit të korporatave dhe premtuan të vazhdojnë planet për të luftuar krizën ekonomike.

Qeveritë që anojnë nga e djathta ishin përpara opozitës në Gjermani, Francë, Itali dhe Belgjikë, ndërsa partitë konservatore të opozitës kryesonin në Britani dhe Spanjë.

Zgjedhjet e 4 deri më 7 qershor që përfunduan të djelën në 27 vendet e bllokut tërhoqën vetëm 43 përqind të 375 milionë votuesve për të zgjedhur 736 anëtarët e legjislaturës së BE-së duke nënvizuar apatinë në rritje të votuesve për Bashkimin Evropian.

Rekordi i mëparshëm ishte 45 presje 5 përqind në vitin 2004.

Britania zgjodhi politikanin e parë të ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian, një zhvillim për të cilin deputetët e qendrës fajësojnë recesionin dhe humbjen e besimit tek partitë kryesore politike.

Partia Kombëtare e Britanisë fitoi një vend në distriktin Yorkshire dhe Humber, duke marrë një nga gjashtë vendet që i takojnë këtij rajoni.

"Qindra mijëra vetë dhanë votën e tyre kundër gënjeshtrave të partisë së vjetër. Partia kombëtare britanike i ka nxjerrë këto gënjeshtra dhe ujrat e së vërtetës, drejtësisë dhe lirisë vërshojnë përsëri mbi vendin tonë. Është një fitore e madhe, është fillimi", tha zoti Griffin.

Sekretari i jashtëm britanik David Miliband i quajti rezultatet të dëmshme për Britaninë dhe tha se qeveria do të përpiqet të kuptojë arsyet përse britanikët votuan në favor të të djathtëve.

"Është shumë e dëmshme për Britaninë, vendi që ka luftuar për demokracinë gjatë shekullit të kaluar, të shohë që një vend t’i shkojë partisë kombëtare. Ne duhet të sigurohemi për të parë me seriozitet sfidës ndaj politikave demokratike që përfaqësojnë ata, duhet të kuptojmë gjithashtu zemërimin që ekziston mes njerëzve. Çdo votë ka të njëjtën vlerë në këtë vend, dhe është e rëndësishme të kuptojmë përse njerëzit votuan në këtë mënyrë. Duhet të sigurohemi që forca e këtij vendi dhe traditat e tij të mirësisë fitojnë", tha sekretari Milliband.

Rreth 200 vetë u përleshën në Manchester ndërsa udhëheqësi i Partisë Kombëtare, Nik Grifin u përpoq të hynte në bashkinë e qytetit për të ndjekur numërimin e votave.

Policia tha se një burrë u arrestua në përleshjet mes protestuesve anti-fashistë dhe përkrahësve të partisë kombëtare.

Rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe evropiane ishin më të dobëtat për partinë laburiste të kryeministrit Brown në 100 vjet.

Rezultatet i mbërthejnë laburistët, që kanë qenë në pushtet që nga viti 1997 dhe kanë fituar tre herë zgjedhjet kombëtare, në një debat të ashpër nëse shanset më të mira për të mbijetuar qëndrojnë me apo pa udhëheqësin e tanishëm.

10 ministra dhanë dorëheqjen javën e kaluar duke minuar autoritetin e zotit Brown. Ai është dëmtuar nga rezultatet e zgjedhjeve dhe është objekt i kritikave në një skandal mbi shpenzimet e larta të deputetëve që kanë sjellë një zemërim të gjerë publik.

Në Spanjë, Partia Popullore konservatore fitoi dy vende më shumë sesa socialistët në pushtet.

Por partia në pushtet në Francë duket se ka dalë mirë në zgjedhje megjithë krizën.

Konservatorët e presidentit Nikola Sarkozi mundën socialistët, ndërsa një parti ekologjike fitoi vendin e tretë sipas rezultateve zyrtare.

Socialistët në Greqi ndërkohë fituan në zgjedhjet e Bashkimit Evropian, e para fitore në nëntë vjet me 36 presje 7 përqind të votave.

Ministri i brendshëm njoftoi rezultatet përfundimtare sot duke thënë se konservatorët në pushtet humbën në zgjedhje me 4 presje 4 për qind diferencë ndaj socialistëve në opozitë.

Zgjedhjet e së djelës u mbajtën në një kohë të vështirë ekonomike dhe në valën e skandaleve korruptive dhe përleshjeve masive në dhjetor pas incidentit të policisë.

XS
SM
MD
LG