Lidhje

Kimoterapia; Mini-goditjet në tru; Pajisje e re dentare


Kimoterapia për pacientet e moshuara

Mjekët shpesh nuk këshillojnë trajtimin me kimoterapi të kancerit të gjirit për pacientet e moshuara. Por një studim i ri tregon se gratë e moshuara mund t'a përballojnë trajtimin me kimoterapi njësoj si pacientet në moshë të re. Shkencëtarët shpresojnë që rezultatet e këtij studim, botuar në revistën mjekësore të Nju Englandit , do t’i bindin mjekët t’u ofrojnë trajtim të plotë me kimoterapi pacienteve të moshuara me kancer në gji.







Më shumë se 40 përqind e pacienteve me kancer në gji janë diagnostikuar rreth moshës 65 vjeç e sipër, por pak studime mbi kimoterapinë kanë përfshirë paciente të kësaj moshe.

Kërkimet tregojnë se mjekët nuk u japin trajtim të plotë grave të moshuara me kancer në gji, duke u mjaftuar me pak barna kimoterapike në doza të ulta ose shmangien plotësisht të kimoterapisë.

Por studimi i ri tregon se gratë e moshuara me kancer në gji në fazë fillestare mund të përfitojnë nga marrja e barnave standarte kimoterapikë që u jepen pacienteve në moshë të re.

Shkencëtarët pranë universitetit të Karolinës së veriut caktuan një grup pacientesh të moshuara me kancer në gji që të trajtoheshin me kimoterapi të kufizuar duke u dhënë 1 ilaç kimo, ndërsa një grup tjeter u trajtua me regjimin standart me kimo i përbërë nga disa barna së bashku.

Eksperimenti nuk vazhdoi më gjatë sepse u pa qartë se regjimi standart kimoterapik ishte më i efektshëm. Gratë që morrën vetëm një ilaç kimo kishin dy herë më shumë të ngjarë të vdisnin ose të keqësoheshin, në krahasim me gratë që iu nënshtruan regjimit standart të kimoterapisë.

Shkencëtarët e pranojnë se këto ilaçe kanë pasoja anësore të papëlqyeshme, përndryshe një trajtim i plotë me regjim standart kimoterapik mund të shtojë vite në jetën e grave të moshuara që vuajnë nga kanceri në gji.

Trajtim të ngutshëm për goditjet e vogla në tru

Goditjet e vogla në tru shkaktohen nga mbyllja mekanike e enëve të gjakut. Ato quhen ndryshe edhe TIA shkurt për Sulme Iskemike Kalimtare. Meqënëse këto sulme janë të lehta e kalimtare shpesh shikohen si të parëndësishme. Por sipas një studimi të kohëve të fundit, kryer nga shoqata amerikane kundër sëmundjeve të zemrës, këto lloj goditjesh duhen trajtuar si raste urgjente mjekësore sepse personat që preken prej tyre janë në rrezik të pësojnë goditje të rënda në të ardhmen. Ekspertët tani thonë se pacientë që ndeshen me simptoma të TIAs duhet t’u nënshtrohen analizave dhe trajtimit të plotë sa më shpejt që të jetë e mundur.


Më shumë se 200 mijë amerikanë diagnostikohen çdo vit me goditje të vogla në tru, por ekspertët thonë se disa mijëra raste të tjera kalojnë pa u vënë re sepse njerëzit nuk kërkojnë trajtim.

Këto mini goditje janë pasojë e tkurrjeve funksionale të enëve të gjakut, që pengojnë furnizimin me gjak të trurit. Simptomat janë të ndryshme, përfshi dobësi të papritur trupore, mpirje në njërën anë të trupit, marrje goje, hutim dhe vështirësi në të ecur. Këto simptoma zgjasin kryesisht vetëm pak minuta, prandaj shumë njerëz nuk u kushtojnë rëndësi ose nuk marrin ato seriozisht.

Shoqata amerikane kundër sëmundjeve të zemrës po përpiqet t’a ndryshojë këtë qëndrim të njerëzve ndaj goditjeve të ashtuquajtura të vogla. Në një dokument të ri shkencor, kjo shoqatë u bën thirrje mjekëve dhe pacientëve që t’i trajtojnë mini-goditjet në tru si raste urgjente mjekësore. Studimet tregojnë se 15 përqind e personave që pësojnë goditje të vogla në tru, ndeshen brenda tre muajve me goditje të rënda.

Shkencëtarët thonë se pacientët me goditje të vogla në tru duhet të kërkojnë menjëherë trajtim mjekësor – duke iu nështruar analizës së skanimit të trurit dhe duke marrë trajtim parandalues si terapi me aspirinë, për të pakësuar rrezikun e goditjes së rëndë në tru.

Pajisje e re dentare

Shumë prej atyre që vuajnë nga dhëmbët e kanë njohur edhe frikën e natyrshme kur dentisti bëhet gati të zhbirojë dhëmbin e sëmurë, sepse qoftë edhe një prekje e lehtë e nervit mund të shkaktojë dhimbje të mëdha dhe me turjelë në gojë është e pamundur të flasësh për t’u ankuar. Por një dentist në Saint Luis të shtetet Minesota ka shpikur një instrument që e bën pacientin të mos ketë frikë.


Mjeku Majkëll Eduards tani u jep pacientëve të mbajnë në dorë një buton që komandon turjelën e dentistit. Sa herë që pacienti ndjen dhimbje, ai vetë shtyp butonin dhe turjela në dorën e dentistit ndalet. Atëherë dentisti e kupton që pacienti ndjen dhimbje dhe i jep ilaç të përshtatshëm ose e ndërpret procesin deri sa pacienti të qetësohet. Doktor Eduards e quan shpikjen e tij Dental Buton që mund të përdoret thuajse me të gjitha pajisjet në klinikën e një dentist. Doktor Eduards thotë se duke mbajtur butonin në dorë, pacientët e tij tani kanë më pak frikë. Zakonisht ata nuk e shtypin butonin, por vetëm siguria që e kanë turjelën nënkontroll i bën ata të mos kenë frike. Dental Buton është në plan të përdoret edhe në klinika të tjera dentare në Saint Luisit, madje kërkesa për këtë pajisje kanë filluar të vijnë edhe nga vende të largëta si Britania e Australia.

Lexo dhe komento; http://astritlulushi.wordpress.com/


XS
SM
MD
LG