Lidhje

Itali: Qyteti i goditur nga tërmeti në prag të takimit të Tetëshes


Kanë kaluar dy muaj që kur tërmeti shkaktërrimtar goditi qytetin L’Aquila dhe fshatrat përreth tij në qendër të Italisë duke vrarë gati 300 njerëz. Mijëra veta ende po qëndrojnë në tenda ndërkohë që hartohen plane për ndërtimin e shtëpive të reja. Gjithashtu, autoritetet po bëjnë përgatitje për takimin e udhëheqësve botërorë, G-8-s, që do të mbahet në këtë qytet të goditur nga termeti.

Kur termeti goditi L’Aquilan dy muaj më parë, kryeministri italian Silvio Berluskoni tha se ai do ta ndryshonte vendin e takimit të udhëheqësve botërorë, nga ishulli i Sardenjës në qytetin e shkatërruar. Vendimi u mor, tha ai, për të treguar solidaritet me viktimat.

Takimi do të mbahet në Akademinë Ushtarake të L’Aquilas nga 8 deri më 10 korrik.

Pasi u bë publik njoftimi për vendin e takimit, banorët e qytetit shprehën kënaqësi. Ata besojnë se ky veprim do të ndihmojë që qyteti i tyre të vazhdojë të jetë në qendër të vemendjes.

Një grua, shtëpia e së cilës ishte shkatërruar nga tërmeti, e ka të qartë se përpjekjet e rindërtimit do të kërkojnë vite të tëra.

“Dëmet janë shumë të mëdha dhe do të duhet kohë e gjatë që të tejkalohet kjo gjendje. Ne mund vetëm të shpresojmë se ata nuk do të na harrojnë. Kjo është e tëra.”

L’Aquila vazhdon të ketë kudo skena shkatërrimesh - grumbuj rrënojash në çdo metër, ndërtesa dhe kisha të rrëzuara përgjysëm. Pasgoditjet vazhdojnë t’u kujtojnë njerëzve tmerrin e asaj dite të tërmetit.

Rreth 60,000 veta vazhdojnë të qëndrojnë në tenda ose në hotele të stërmbushura në bregdetin Adriatik. Ata kthehen herë pas here për të parë në shtëpitë e tyre por vetëm të shoqëruar nga zjarrfikësit dhe me kaska në kokë.

“Jam kthyer te shtëpia ime e shkatërruar vetëm dy herë dhe e kam bërë për të marrë disa gjëra të domosdodoshme si rroba dhe këpucë. Kemi humbur çdo gjë,” thotë Gabriella Capocetti.

Nga pamja e jashtme shtëpia e saj duket mirë por nga brenda është rrëmujë. Qendra historike e qytetit L’Aquila është shpallur zonë e mbyllur. Kjo pjesë e qytetit është plotësisht e braktisur dhe duhet si një qytet fantazmë.

Ida Spagnoli ishte duke fjetur kur tavani i shtëpisë së saj filloi të çahej. Shumë veta, ashtu si Ida, e kanë të vështirë të harrojnë momentin kur filloi tërmeti dhe çastet menjëherë pas goditjes.

Zjarrfikësit thonë se duhet të punohet në të gjithë qendrën historike të qytetit. Një nga problemet më kryesore në qytet dhe në fshatrat fqinje janë tubat e gazit dhe të ujit të cilat janë dëmtuar. Kjo, thonë ata, duhet të zgjidhet e para.

“Disa nga ndërtesat mund të jenë të banueshme por njerëzit nuk mund të kthehen pa u ribërë instalimet,” thotë zjarrfiksi Mario Cervini.

Popullata e zhvendosur deri tani ka folur pozitivisht për operacionet e shpëtimit dhe të ndihmave të dhëna nga mbrojtja civile por pakënaqësitë kanë filluar të shfaqen dhe ka mundësi të përhapen pasi njerëzit janë lodhur duke qendruar në tenda dhe kërkojnë urgjentisht shtëpi të reja.

Kryeministri Berluskoni ka premtuar se deri më 15 shtator tendat do të jenë boshatisur, ose duke i bërë të sigurta shtëpitë e braktisura ose duke i sistemuar njerëzit në shtëpi të reja. Por shumë banorë janë pesimistë. Ata kanë filluar të mendojnë se takimi i G-8 jo vetëm që po zhvendos vemendjen por edhe fondet. //ii

XS
SM
MD
LG