Lidhje

Në kërkim të mistereve të peshkut tarpon


Një profesor i Universitetit të Miamit prej 10 vjetësh i është kushtuar studimit të një peshku të madh që ka krijuar grupe të apasionuarish në të gjithë globin. Tarponi nuk është thjesht një ndër peshqit më të lashtë të oqeanit, por është edhe objekti i gjuetisë detare që gjeneron çdo vit miliarda dollarë. Sot me rastin e Ditës Botërore të Oqeaneve, ju njohim me këtë gjigand të detit:

Profesori i shkencave ujore në Universitetin e Miami-t, Jerry Ault dhe ekipi i tij kanë dalë për të kapur tarpon që në pesë të mëngjesit në ujërat pranë ishujve në jug të Floridës. Tarponi është preja e ëndërruar e gjuetarëve të detit: ai është një peshk i shpejtë, i madh, i fortë dhe i aftë për të kërcyer 3 metra e gjysmë lart në ajër.

Pasioni për këtë sport lind nga fakti se kapja e tarponin është tepër e vështirë. Kjo kafshë e fuqishme deti lufton me një furi të madhe. Këtë radhë ekipi arrin ta tërheqë pranë anijes, pas një përleshjeje prej 30 minutash.

Por ekipi nuk ka dalë sot thjesht për sport. Pjesëtarët e tij merren me studimin e tarponit. Ata e masin peshkun që kanë kapur: gjatësia 1.6 metra, perimetri 62 centimetra, pesha rreth 60 kilogramë. Më pas marrin prej tij një mostër të ADN-së dhe i vendosin një pajisje për ta ndjekur me satelit.

Gjatë muajve të ardhshëm, ata do të mund të analizojnë mjedisin ujor të peshkut dhe të marrin të dhëna për vendndodhjen, thellësinë, nivelin e kripës dhe temperaturën e ujit. Profesor Ault shpjegon se çfarë do të ndodhë brenda pak muajsh:“Pajisja që komunikon me satelitin do të shkëputet nga peshku, do të dalë në sipërfaqe. Ajo realizon lidhjen me sistemin satelitor Argos dhe më pas më vjen një telefonatë që më tregon vendodhjen e tij.”

Deri tani tarponi është studiuar fare pak. Por me pakësimin e numrit të këtij peshku gjatë viteve të fundit, është rritur nevoja për më shumë njohuri për të.

Duke qenë se zhdukja e tarponit shoqërohet me zhdukjen e të ardhurave prej miliarda dollarësh, profesor Ault nuk e pati të vështirë të siguronte mbështetje financiare për studimin e këtij peshku: “Aktualisht në Florida, peshkimi gjeneron miliarda dollarë në vit. Ndërkaq, peshkimi si sport përllogaritet t’i sjellë shtetit të Floridas rreth 10 miliardë dollarë në vit. Aktualisht peshkimi si sport është më fitim-prurës për Floridën se industria e agrumeve.”

Ky grup peshkatarësh amatorë po bën një pushim nga aktiviteti i ditës. Prej dekadash ata kanë ardhur në ishujt në jug të Floridës për të peshkuar tarpon. Anay Bracket, nga Xhorxhia, është guida e grupit të peshkatarëve. Ai e frekuenton këtë zonë që prej 42 vjetësh. “Unë peshkoj në të gjithë botën dhe pa diskutim mund t’ju them se tarponi është peshku që ofron eksperiencën më spektakolare gjatë peshkimit. Është një proces shumë eksitues.”

Profesor Ault ka filluar të frekuentojë edhe një ndër destinacionet më popullore aktualisht për tarpon: thellësitë e errëta nën ura. Ai dokumenton numrin dhe madhësinë e ekzemplarëve. Siç shpjegon profesori, shumë faktorë po kërcënojnë aktualisht një ndër peshqit më të lashtë dhe më të fortë të oqeanit. Një ndër to është pakësimi i karkalecit të detit, ushqimit të preferuar të tarponit: “Sot ne peshkojmë nga deti 500 milionë tonë karkaleca. Gjithashtu uji është ndotur nga kimikatet që përdoren në tokë, janë keqësuar kushtet e mjedisit të jetesës për këtë peshk, pra ka një sërë faktorësh.”

Përmes të dhënave që merr nga sateliti dhe studimeve, Profesor Ault ka mbledhur informacion të vlefshëm që një ditë mund të ndihmojë tarponin të mbijetojë.

Ai ka zbuluar se tarponi mund të udhëtojë në distanca të largëta për të gjetur mjedisin me temperaturë ideale prej 26 gradësh celcius. Nga Florida, ky peshk mund të udhëtojë afro 2 mijë kilometra deri në bregun verior të Shteteve të Bashkuara ose në Gjirin e Meksikës, e më pas në Amerikën Qendrore dhe të Jugut. “Për fat të keq, kur futet në territorin amerikan, është pre e gjuetisë dhe konsumit. Pra ky pesh që jeton deri në 80 vjeç, mund të bjerë pre e çdo niveli shfrytëzimi.”

Margaret Miller është studiuese e brezit koralor në Agjencinë për Jetën Nënujore në Florida. Ajo thotë se rritja e temperaturës së oqeaneve mund të vërë në rrezik shumë specie, përfshirë tarponin. “Kjo ndërpret sistemin e referimit që përdorin kafshët, për shembull sistemin që u shërben për t’u orientuar për shtegtim. Pra është një faktor që prek një numër speciesh.”

Pas një dekade studimesh mbi tarponin, Jerry Ault mendon se po fillon ta kuptojë këtë peshk që u mbijetoi epokave që zhdukën dinosaurët, por që ka përpara një të ardhme të pasigurtë si rezultat i veprimtarisë së njeriut.

XS
SM
MD
LG