Lidhje

Analistët për shkurtimin e trupave të Natos në Kosovë


Autoritetet dhe analistë në Prishtinë vlerësojnë se shkurtimi i mundshëm i pranisë së trupave të NATO-s dëshmon qëndrueshmërinë e situatës së sigurisë në Kosovë një vit pas shpalljes së pavarësisë së saj. Dhjetë vjet pas vendosjes së forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, kjo aleancë pritet që gjatë javës të diskutojë për zvogëlimin e trupave të saj. Zyrtarë të NATO-s kanë përmendur mundësinë që, nga rreth 14 mijë ushtarë sa janë aktualisht në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it të zbresë në 10 mijë.


Shkurtimin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë, analistë të sigurisë e shohin si porosi të qartë për qëndrueshmërinë në vend. Analisti Lulzim Peci, thotë se kjo do të ndikojë edhe në përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës sepse sipas tij, kjo dëshmon që Kosova në vitin e parë si shtet ka shënuar përparim në aspektin e sigurisë. “Mendoj se numri i trupave të NATO-s do të shkurtohet në vitet e ardhshme. Pas kësaj faze, ku përmendet se numri i trupave të NATO- do të zbret në 10 mijë, ekziston një planifikim që pas një kohe këto trupa të shkurtohen në 5000, ndërsa pas një periudhe të mëvonshme do të mbesin vetëm 2500 trupa të KFOR-it në Kosovë. Këto 2500 trupa do të qëndrojnë në Kosovë për një afat shumë të gjatë. Ky zvogëlim i trupave të NATO-s duhet të kuptohet si një proces normal i cili po zhvillohet në Kosovë dhe i cili është si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë”.

Autoritetet në Kosovë kanë theksuar në vazhdimësi se shkurtimet e pranisë ushtarake ndërkombëtare duhet të ndodhin në pajtim me procesin e ngritjes së mekanizmave vendës të Sigurisë, përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ministri i kësaj force, Fehmi Mujota, thotë se Kosova, një vit pas pavarësisë, po pasqyron siguri dhe paqe edhe për rajonin. Ai thotë se deri në vjeshtë të këtij viti, Forca e Sigurisë do të jetë e gatshme për veprim, ndërsa sipas tij, brenda tri viteve, FSK do të veprojë me kapacitetet e plota të saj, gjithnjë në bashkërendim me NATO-n. “Ne mirëpresim çdo progres në aspektin e sigurisë dhe tani është një vlerësim i përbashkët i strukturave të NATO-s që gjendja e sigurisë në Kosovës është e qëndrueshme”, thotë ministri Mujota.

“Institucionet e shtetit të Kosovës kanë dëshmuar pjekurinë e mjaftueshme që tani të mund të mendohet edhe për zvogëlimin e trupave të NATO-s në Kosovë që besoj se është një vlerësim pozitiv për të arriturat në vend. Është një vlerësim pozitiv dhe për klimën e përgjithshme në rajon, dhe natyrisht të gjitha vendimet që do të ndërmerren në këtë aspekt mbi bazën e një politike të koordinuar dhe një vendimi të përbashkët për neve është i mirëpritur sepse është një vlerësim për institucionet e Kosovës dhe një vlerësim i përgjithshëm për sigurinë në Kosovë dhe rajon”.

Në ditën e sotme, dhjetë vjet më parë Aleanca Veri-Atlantike nënshkroi në Kumanovë një marrëveshje me trupat jugosllave duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë dhe fushatës 78 ditëshe të bombardimeve kundër forcave serbe. Më 12 qershor, të vitit 1999, rreth 50 mijë trupa të NATO-s filluan vendosjen në Kosovë, prej nga po largoheshin trupat e policisë e ushtrisë serbe. Numri i trupave të NATO-s është zvogëluar vit pas viti në pajtim me gjendjen e sigurisë në vend. //rd//

XS
SM
MD
LG