Lidhje

Policia e Kosovës, aktpadi për dy udhëheqës serbë në veri të vendit


Zyrtarë të policisë në Kosovë thanë se kanë ngritur aktpadi kundër dy udhëheqësve politikë të serbëve në veriun e vendit, për siç thuhet, thirrjet publike për djegien e vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Policia thotë se Millan Ivanoviç dhe Marko Jakshiç, nga Këshilli Kombëtar serb në veri të vendit, kanë bërë thirrje publike në një tubim në Mitrovicë, në shkurt të këtij viti, për shkatërrimin e pikave kufitare.

Tani është në duart e prokurorisë së qarkut në Mitrovicë që mbikëqyret nga EULEX-i nëse do të kërkojë arrestimin e tyre. Një zëdhënës i policisë tha se ata kanë refuzuar që të bashkëpunojnë me policinë gjatë procesit të hetimeve.

Millan Ivanoviq e Marko Jakshiq, kanë hedhur poshtë pohimet e policisë duke e cilësuar aktpadinë si një formë të trysnisë ndaj komunitetit serb.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe vazhdon të mbetet skenë e kundërshtimeve të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës. Pak ditë pas shpalljes së pavarësisë, protestuesit serbë dogjën postat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që atëherë kanë kundërshtuar cdo përpjekje për vendosjen e pikave doganore ndërmjet dy vendeve.

Edhe sot disa qindra pjesëtarë të këtij komuniteti kanë bllokuar rrugët ne veri në shenjë ndaj vendimit të EULEX-it që të bëjë regjistrimin e mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë.

XS
SM
MD
LG